Prej disa muajsh ndërkombëtarët po përpiqen t’i mbushin mendjen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të mos e hapë në këtë moment qarkullimin e makinave në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë. Qeveria e Kosovës është e vendosur që ura të hapet, ndërsa ndërkombëtarët paralajmërojnë “rrezik të shtuar” për “dhunë dhe probleme tjera”.
Pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës më 14 gusht, kryeministri Kurti nuk zbuloi ndonjë veprim konkret për hapjen e urës edhe pse më herët kishte thënë se priste vetëm raportin e ekspertëve për gjendjen fizike të urës.
Kurti tha se konsultimet dhe koordinimi me partnerët do të vazhdojnë. “Gazeta Express” raporton se ka mësuar nga burime të saj se shqetësimin më të madh të shprehur pranë qeverisë së Kosovës e kanë pasur amerikanët. Kjo për shkak se në rast se do të ketë trazira mbi urën e Ibrit, ushtarët amerikanë të KFOR-it do të duhet të ishin reaguesit e parë. Bëhet fjalë për ushtarët amerikanë të vendosur në kampin “Nothing Hill” në Leposaviq.
Atje janë të stacionuar pjesëtarë të gardës nacionale nga shteti amerikan i Georgia-s. Duke pasur parasysh se ky shtet është një “swing state” (shtet i lëkundur që ka mbështetje të barabartë për të dy kandidatët që garojnë në zgjedhjet presidenciale), çdo përfshirje e ushtarëve amerikanë në trazira eventuale në veriun e Kosovës do të mund të kishte implikime në procesin zgjedhor në SHBA. Të njëjtat burime thonë se ky shqetësim u është përcjellë autoriteteve kosovare nga disa zyrtarë të SHBA-ve.
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha publikisht të martën se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që sipas tij mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë edhe ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, – tha Hovenier në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se shpresojnë që “Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”.
Shqetësimin amerikan e kanë mbështetur edhe NATO dhe BE. Edhe këto i kanë bërë thirrje Kosovës të mos ndërmarrë hapa të pakoordinuar.