Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e vitit 2025 datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë. Në dekretin e nënshkruar nga Osmani thuhet se caktimi i datës së zgjedhjeve u bë pas konsultimeve me partitë politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Më 31 korrik, presidentja Osmani ftoi të gjitha partitë parlamentare në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë takim nuk mori pjesë kreu i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.