Sali Berisha, i njohur të përgojojë, të tallë e të kërcënojë çdo biznes që nuk paguan tarafin tek ai, familjarët e tij, apo mediat dhe gazetarët e tij, për biznesmenin dhe njëkohësisht botuesin e A2CNN, që ka ndërtuar rrugën me pagesë Thumanë-Kashar me kompaninë ”Gener 2” e ka kyçur gojën.
Ai nuk e përmend fare Bashkim Ulajn që është jo vetëm ndërtuesi i rrugës me pagesë Kashar-Thumanë, por edhe përfituesi i gjithë të ardhurave ditore që merr nga kjo rrugë për dhjetëra vite më pas. Nuk pipëtin as edhe një fjalë që t’i numërojë këtij ndërtuesi të gjitha koncesionet, përfitimet, ndërtimet, apo ta sulmojë si botues atë dhe gjithë familjen e tij siç jemi mësuar ta dëgjojmë të bëjë në 30 vite.
Këtë gjë ja kërkojnë dhe shumë mbështetës të Partisë Demokratike, banorë të zonës (dhe ndjekës të tij në rrjetet sociale) të cilët po protestojnë sepse Ulaj u ka mbyllur aksesin në rrugën e tij “të florinjtë”. Po përse Sali Berisha e ka mbyllur gojën për Bashkim Ulajn dhe Gener 2 dhe nuk e hap si çorape siç e bën me këdo tjetër?
Kjo histori është fare e thjeshtë: Përveç koncensioneve të shumta dhe ekskluzive edhe apartamenet ku banojnë ai me Lirinë, Argita me dhëndrin dhe Shkëlzeni në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, janë ndërtuar nga Bashkim Ulaj dhe janë marrë nga familja Berisha në rrethana shumë të dyshimta dhe kompromentuese. Këto apartamente dhe garazhe po aty janë sekuestruar nga SPAK pas hetimeve për klubin “Partizani”.
Edhe zyra (me qira??) e Sali Berishës ndodhet në shumëkatëshin luksoz të ndërtuar nga botuesi dhe ndërtuesi Ulaj përballë Radio Televizionit Shqiptar. Si dhe sa ka marrë Sali Berisha nga këto të mira imobiliare? Është e njohur nga të gjithë se Bashkim Ulaj gjatë kohës kur Sali Berisha ishte në pushtet ka marrë shumë koncesione dhe favore publike miliardere nga qeveria, mes të tjerash një koncesion minerar në Fushë Krujë, një koncesion për të hapur gropa në gjithë rrugët e vendit për të shtrirë fibra optike duke u bërë kështu monopolist në këtë fushë, dhe koncesionin për hidrocentrale në perlën natyrore të Valbonës…
Me të njëjtën skemë si ajo e Vilës në Gjirin e Llëzit Sali Berisha dhe familja e tij ka vepruar edhe me apartamentet, garazhet në pallatin luksoz te rruga “Mustafa Matohiti” ku thërret mbështetësit e tij të protestojnë? SPAK po heton dhe për këtë dhe shpresojmë që shpejt të ketë një përgjigje zyrtare për shqiptarët, për protestuesit e rrugës Kashar-Thumanë!