Juristja dhe aktivistja, Brizida Gjikondi ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe operacionet e SPAK. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Gjikondi ka analizuar deklaratën e Shkëlzen Berishës në lidhje me shitblerjen dhe trafikimin e armëve për masakrën e Gërdecit. Gjikondi thotë se ai kujton që situata e të mos hetuarit do të vijoj dhe për disa vite me rradhë ndonëse nuk është hetuar prej 10 vitesh.
Nga ana tjetër edhe kallëzimin e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj tre gjyqtarëve që urdhëruan rihapjen e dosjes së ’21 Janarit’, e cilëson si një idiotësi dhe ky i fundit tregon haptazi fajësinë ndaj kësaj ngjarje. Ndërkohë një tjetër element të fortë që ceku Gjikondi, pikërisht vettingu në politikë, e konsideron mëse të nevojshme pasi kjo klasë politike ka shantazhuar drejtësinë e re ndonëse saga e korrupsionit është në nivel aq të lartë sa çdo ditë ‘zbarkojnë’ politikanë në dyert e SPAK.
-Si e shihni deklaratën e Shkëlzen Berishës ku mohon përfshirjen dhe takimet me ortakun e Efraim Diverolit, David Packouz, për kontratën 300 milion dollarshe për shitblerje dhe trafikim të armëve në lidhje me Gërdecin? A ishte kjo njëlloj trembje e paniku ku pati një deklaratë të menjëhershme nga ana e tij?
Nuk mendoj se është panik më shumë sa është vetësiguri që ka ai që ajo çështje dhe ajo dosje nuk do të hetohet, duke qenë se mbi 10 vite ajo çështje nuk është hetuar, ai kujton se do të vazhdojë e njëjta situatë. Duhet të jesh naiv të presësh që ai të pranojë bashkëfajësinë dhe autorësinë e gjithë çfarë ka ndodhur në Gërdec. Kur nuk e ka bërë deri tani, e pikërisht tani që po hetohet nuk do ta bëj akoma më shumë.
-Si e shihni në anë ligjore, kallëzimin e zotit Sali Berisha në emër të PD, ndaj tre gjyqtarëve, përkatësisht Sokol Binaj, Ilir Panda, Sandër Simoni, të cilët caktuan rihapjen e hetimeve të dosjes së ’21 Janarit’, ku kërkonte llogari se përse po rihapen hetimet?
Nga pikëpamja logjike është idiotësi, nga pikëpamja juridike është miopi, sepse Gjykata e Lartë nuk e ka hapur vetë këtë dosje e ta gjykojë si të shkallës së tretë. Ajo thjesht ka ligjëruar një vendim të Gjykatës së Strasburgut, ka zyrtarizuar vendimin e saj që e ka për detyrë ta bëj. Madje, është e turpshme për drejtësinë shqiptare, që drejtësia të vendoset në Strasburg e jo në Shqipëri. Si Berisha dhe i biri i Berishës, normal që nuk iu pëlqen se ç’ka po bëhet me drejtësinë shqiptare, pavarësisht se është ende një drejtësi e ngadalë dhe e kontestuar pikërisht nga politika e këtë e tregon dhe prononcimi i të birit apo padia që ka ngritur Berisha me levat e tij, kundër tre gjyqtarëve që mbahen nga gjyqtarët më elitar që ka sistemi i drejtësisë shqiptare, që për disa rrethana unë i kam njohur sesa të zotë që janë.
E rithem që Gjykata e Strasburgut, ka nxjerr një vendim shterues që përfshin përgjegjësinë e qeverisë Berisha të asaj kohe. Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Sokol Binaj, thjesht kanë qenë të zgjedhur me short dhe kanë patur relatorin e çështjes që kanë zbatuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut për ta zbatuar nga Gjykata e Lartë, si të gjitha procedurat e tjera rutinë. Të gjitha hapat që ndërmerr Berisha, tregojnë mendësinë e tij të vjetër, duke menduar se drejtësinë e ka nën diktat apo mendësinë e vjetër të agresionit dhe të kundra-sulmit si vetë mbrojtje, si dhe tregon haptazi fajësinë e tij për atë çështje që nuk është nevoja të na e thoshte Gjykata e Strasburgut pasi të gjithë shqiptarët e dinin.
-SPAK ka lëshuar 30 urdhër-arreste ndaj grupeve kriminale por ajo që u pa ishte dhe implikimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, si rasti i ish kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka. Si e shihni në anën tuaj këtë implikim duke u bërë palë edhe drejtësia e re me grupet kriminale për të lehtësuar masat e sigurisë ndaj tyre?
Është gjithë sistemi i drejtësisë shqiptare që ishte gangrenizuar aq shumë dhe ishte futur në qelizë korrupsioni moral, financiar, ligjor sa nuk mund të rregullohej me një shkop magjik. Patjetër që ka gjyqtar të korruptuar, policë të korruptuar. Kemi parë dhe veprat e fundit penale, vrasje që policia i fsheh ose nuk i kallëzon ose i kallëzon gabim dhe e bën qëllimisht. Të gjitha këto tregojnë se si ishte mësuar të funksiononte drejtësia dhe shteti shqiptar. Patjetër që do kohë, rrugë, mundim, kurajo të pastrohet drejtësia shqiptare në të gjitha hallkat e saj. Ndëshkimi që po i bëhet me shefa krimesh, policë, ish-prokurorëve, etj, janë shpresë dhe mësim ndaj atyre që kanë qenë pjesë e kësaj mënyrë të funksionuari në drejtësi dhe në policinë shqiptare.
-Nga ana tjetër, shtatori i pritet si një sezon i ‘nxehtë’ për SPAK-un, ku u pa dhe goditja e grupeve kriminale, tashmë të kalohet dhe në sferën politike pasi lidhja e binomit krim-politikë është e pa ndashme në Shqipëri…
Mua nuk më duket se SPAK-u ka bërë pushime dhe për këtë ndjehem falënderuese ndaj atij institucioni që i vetëm po shkruan historinë e Shqipërisë por mendoj që patjetër SPAK-u me këtë filozofi që po udhëheq patjetër që do i tund goxha dhe do i pastroj ujërat e qelbur dhe moçalor të politikës shqiptare e do vazhdoj ta bëj. Krimi shpeshherë përpiqet të hyjë në politikë. Nuk vijnë vetë familjet më kriminale në Shqipëri e të hyjnë në politikë, por futin nipat e mbesat të diplomuar jashtë shtetit me paratë e krimit. Thjesht të shikosh mbiemrat dhe CV-të e tyre. Aty kupton që ata janë pjesë e politikës pikërisht për t’i dhënë mos prekshmëri dhe imunitet familjeve të tyre kriminale.
Ende në Shqipëri nuk është ndarë krimi nga politika. Edhe në Shqipëri, nuk kemi një moral të shëndetshëm politik në të mirë të shqiptarëve. Gjithë klasa politike shqiptare me pak dritëhije por në shumicën e saj e sheh politikën si një aset bankar për përfitime personale. Askush dhe rrallë kush kanë qasje shpirtërore për të kontribuar më mirë në politikën shqiptare, për të ofruar personalisht një vlerë që të frymëzoj. Këtë nuk e ka politika shqiptare dhe përzierja me krimin ka qenë logjike, pasi aty e gjen më shumë veten sesa ta gjej veten të mbrojtja e interesave të Shqipërisë.
-Ditët e fundit kemi parë dhe lëvizjet dhe shkarkimin e befasishme të tre ministrave, si të Mbrojtjes, Financave dhe të Brendshme, ku u habitën nga shkarkimet e tyre, si dhe ardhja e emrave dhe fytyrave të reja, a është një taktikë e qeverisë Rama për të shkuar në zgjedhjet e 2025-ës me emra të rinj e të pa përfshirë nga korrupsioni për të qenë një fitore e sigurtë për një tjetër mandat apo një lëvizje e trukuar nga Amerika?
Nuk besoj se janë lëvizje të trukuara nga Amerika, doja të theksoja se nuk quhen lëvizje të qeverisë Rama por të Ramës. Qeveria është autoritare dhe ka një drejtim vertikal. Aty gjithçka e vendos kryeministri Rama e prandaj nuk ka kolegjialitete e vendimmarrje e prandaj pamë dhe fytyra të habitura të tre ministrave që u shkarkuan, ndoshta dhe të atyre që u emëruan. Pavarësisht se mund të merrej aprovimi dhe përpara. Ai ka vënë tre teknicien që shpresoj se janë rritur në gjirin dhe në atë ambient paksa të infektuar të mazhorancës dhe të politikës shqiptare. Nuk besoj se do të jenë definitiv pasi ne e dimë që në fillim të vitit të ardhshëm, kemi zgjedhjet e reja parlamentare.
Rama nuk e ka problem, t’i shkarkoj edhe në krye të muajit dhe në krye të tre muajve. Mendoj se të gjithë janë në provë, si ministrat e rinj dhe ato të vjetrit, siç ka dhe ministra të papërfillshëm e të pa zëshëm në atë qeveri. Ajo qeveri është produkt i Ramës dhe ai merret me të gjitha emërimet dhe shkarkimet që bën e kur ka merita i merr përsipër e kur ka korrupsion ai thotë që përgjegjësia është personale. Ashtu e ka zgjidhur ai, ashtu e mendon ai dhe ashtu e thotë. Ndërsa e besojnë apo jo shqiptarët kur si thotë se përgjegjësia është personale, është pjesa e shqiptarëve.
-Nisma që u artikulua nga ish-mbështetësit e zotit Basha, si zoti Agalliu, Alibeaj, për vettingun ndaj politikanëve shqiptar, a do të jetë determinuese pas rikthimit të pushimeve, në shtator?
Krahu i Alibeaj ka pasur një iniciativë që unë e kam mbështetur, sepse nuk ka të bëjë se kush e ofron një iniciativë, por ka të bëjë thelbi dhe morali i asaj iniciative, siç ka qene vetingu i politikanëve shqiptarë. Për mendimin tim është shumë i domosdoshëm. Madje më i domosdoshëm se i gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ka qenë kjo klasë politike që ka kapur dhe shantazhuar drejtësinë shqiptare dhe e ka çuar në vegël të saj. Mendoj që këtë iniciativë mund të marrë vetëm mazhoranca, e cila në rast se do e bën, në rast se do e bllokon. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet vërtetë që të kemi prova, që mazhoranca mos t’i bierë më gjoksit me grusht, që bëri vetingun e klasës së drejtësisë shqiptare, gjyqtarët dhe prokurorët, por të fillojë vetingun nga vetja dhe më pas ta kërkojë te të tjerët. Unë mendoj që kjo është imediate, sidomos me këtë sagë të madhe korrupsioni që kjo klasë politike po përballet përpara SPAK-ut.
Intervistoi Xhoana Vraniçi