Kryetari i PD Lulzim Basha deklaroi në Kuvend, se Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat. Sipas tij vendimi është marrë nga të majtë e të djathtë së bashku në Gjermani dhe sipas tij, me këtë vendim është njohur edhe Rama.
“Mbrëmë, vetëm 24 orë pas samitit Merkel-Macron, kristian-demokratët dhe socialdemokratët gjermanë, aleatët dhe partia simotër e PS, kanë rakorduar qëndrimin e tyre sa i përket hapjes apo jo të negociatave me Shqipërinë.
Zonja dhe zotëroinj, ashtu si Edi Rama e di fare mirë lajmin, është më i keqi, që shqiptarët mund të prisnin. Është një lajm, që shqiptarët nuk e meritonin, por është një vendim gjerman”, tha Basha në Kuvend.
Por gazeta e njohur austriake “Der Standard”, ka përgënjeshtruar Bashën në një shkrim të sajin teksa thotë se vota e Gjermanisë do të jetë pro.
“Qeveria socialiste e kryeministrit Edi Rama ka pak miq në BE, për shkak se shumica e shteteve të BE drejtohen nga të djathtët. Opozita, Partia Demokratike konservatore, kërkon siç ndodh zakonisht në Ballkan, të mos i lejojë asnjë sukses qeverisë dhe lobon kundër hapjes së negociatave.
Edhe në CDU dhe CSU ka njerëz që janë kundër hapjes së negociatave. Megjithatë fjalën e fundit e ka Merkel dhe ajo është pro hapjes së negociatave”, shkruan gazeta e njohur austriake.