Çështja e teatrit vazhdon. Robert Ndrenika dha dje një intervistë në të cilën sqaroi keqkuptimin e madh që kishte ndodhur gjatë kësaj kohe, duke treguar se ai është për një teatër të ri, por duke mos cenuar territorin e tij.
“Miku im, ka një keqkuptim të madh në gjithë këtë histori. E vërteta është se Robert Ndrenika nuk ka qenë asnjëherë kundër ndërtimit të një teatri të ri dhe dinjitoz. Ajo që unë kundërshtoj është tjetër gjë: është përvetësimi i asaj toke nga kushdoqoftë”, tha Ndrenika.
Nisur nga qëndrimi i tij kontaktuam me një tjetër aktor, me Alfred Trebickën, për të qartësuar edhe pozicionin e Trebickës në këtë çështje.
“Jam në dijeni të intervistës së Ndrenikës dhe që në takimin me Kryetarin e Bashkisë gjëja kryesore dhe parësore që kam thënë ishte puna e truallit. Pastaj puna e ndërtesës: bëhet e re, restaurohet është opsion i diskutueshëm. E kam thënë gjithmonë. E gjithë kleçka e kësaj historie është trualli që të mos abuzohet me të.
Biem dakord që të restaurohet apo ndërtohet kjo diskutohet. Problemi është trualli. Kush është ai që s`do një teatër të ri? Po problemi është tek territori. Nëse nuk cenohet ai… Edhe nëqoftëse bëhet teatri tërësisht i ri, pjesa e muzeut të teatrit duhet të ekzistojë se pastaj s’ka kuptim, hiq këtej e shemb andej. Nuk duhet të jemi radikal as nga njëri krah as nga krahu tjetër”, tha Trebicka.