Edhe pse temperatura shënonte gati 40 gradë celsius, sërish një grusht militantësh u nxorën nga PD e PL në protestën e 17 para bashkisë së Tiranës, duke bërë thirrje për dhunë e duke kërkuar dorëheqjen e Erjon Veliajt.
Pamjet me dron të Report Tv tregojnë se sa pak mbështetës kanë mbetur, me thirrjet kryesore për lirimin e Sali Berishës “non grata”, i cili prej 30 dhjetorit 2023 është në “arrest shtëpie”, në akuzë për aferën Partizani.
Ato pak protestues që u mblodhën, tentuan të pengojnë vapën përmes çadrave të printuara me shprehjen “lironi Sali Berishën”.
Për shkak të temperaturave të larta, protestuesit shumë më të pakët në numër se efektivët e policisë, këtë herë nuk hodhën asnjë molotov, armën që përdorën për javë me radhë, dhe kursyen qytetarët e turistët nga tymi i gomave.
Si çdo herë, protesta u udhëhoq nga Flamur Noka, Belind Këlliçi, Klevis Balliu e Tedi Blushi. Tubim i radhës nuk u njoftua, ndërsa u la të kuptohej se në vijim beteja do të jetë me publikimin e atyre që PD e PL i konsideron si afera të mazhorancës.