Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, politikanja italiane Pina Picierno, dha këtë të mërkurë një intervistë ekskluzive për gazetarin Thimi Samarxhiu në Euronews Albania.
Piceirno bëri dhe një rezyme të legjislaturës së re që ka nisur punën në Parlamentin Evropian pas konstituimit ditën e djeshme.
Piceirno, tha se është e rëndësishme që shumica e Parlamentit Evropian është pro-evropiane dhe se forcat e ekstremit të djathtë nuk kanë fuqi vendimarrëse në union.
Megjithatë ajo shtoi se BE duhet të jetë e kujdesshme, pasi ekstremet e dhanë sinjalin e parë sot, duke votuar kundër rezolutës së parë për mbështetjen ndaj Ukrainës.
“Është e rëndësishme që të nënvizojmë që shumica pro-evropiane vijon të jetë e palëvizur.
Edhe sot ne kemi votuar një rezolutë të parë për mbështetjen e Ukrainës dhe kemi parë grupet e para të së djathtës që i janë kundërvënë rezolutës duke e votuar kundër. Ky test u votua nga shumica më e rëndishme e parlamentit evropian. Forcat e të djathtës ekstreme do të mundohen gjithmonë të përkrahin Putinin, ndaj duhet të jemi vigjilentë dhe parlamenti duhet të vijojë të punojë për të qenë shtëpia e demokracisë dhe të kenë prevalencë të drejtat e njeriut”, tha ajo.
Picierno tha se do të mundohet që këtë legjislaturë të sigurojë shifrat e nevojshme për ngritjen e një komisioni anti-mafia në PE që do të luftojë krimin e organizuar në nivel evropian.
“Unë e di që edhe ju Thimi ndiqni me vëmendje të lartë kauzën e luftës kundër korrupsionit dhe mafias. Mendoj që ka ardhur momenti që të kemi një komision që të luftojë, mafian, krimin e organizuar dhe ta bëjë nga një pikëpamje evropiane, pasi mafia nuk është një problem i shteteve të izoluara por është një problem evropian dhe botëror. Kjo është dhe një sfidë e imja. Ne duhet të kemi disa instrumente të posaçme për luftimin e krimit të organizuar në nivel evropian. Gjatë legjislaturës së kaluar, pavarësisht kërkesave të mia, nuk kemi mundur të gjemë një shumicë për t’i dhënë jetë këtij komisioni. Bashkarisht mendoj se mund të bëjme një punë shumë të mirë”, tha ajo.
Në lidhje me rastin e eurodeputetit Beleri, ajo tha se nuk ishte në dijeni të detajave të çështjes, por shtoi se ekipi që merret me çështjet ligjore në PE do të shoh rastin dhe nëse përfiton imunitet.
“Nuk jam në dijeni por Parlamenti Europian do të merret me këtë çështje. Do të shohim me imtësi këtë çështje në lidhje me imunitetin”, tha ajo.