Elisa Spiropali ka deklaruar se vendimi i qeverisë për rritjen e pagave prek mbi 130 mijë punonjës të administratës shtetërore.
Ministja shtoi se qeveria mbajti premtimin duke çuar pagën mesatare në sektorin publik në mbi 1 milion lekë të vjetra.
“Nga reforma për rritjen e pagave përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës shtetërore. Përmes zbatimit të kësaj politike, paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë lekë të reja(mbi 1 milionë lekë të vjetra). Nga kjo politikë e rritjes së pagave për vitin 2024 përfitojnë: Punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, të ndarë sipas nivelit dhe ciklit arsimor përkatës; Punonjësit e sistemit shëndetësor, Punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit, Punonjësit e nivelit zbatues (specialistët në administratën publike) dhe punonjësit mbështetës. Prej datës 1 korrik, mbi 30 mijë punonjës të sistemit arsimor parauniversitar: mësues, punonjës psiko-socialë dhe oficerë të sigurisë do të përfitojnë nga politika e re e pagave. Paga mesatare për mësuesit e arsimit parauniversitar shkon në 950 Euro, duke e rritur mesatarisht me 18.000 lekë në muaj pagën mujore të mësuesve”, tha Spiropali.