I qëllimshëm apo i rastësishëm kjo mbetet për tu parë pas hetimeve që ka nisur Prokuroria, por pas dëmeve që pësoi dje stadium i Korçës “Skënbderbeu” është bërë domosdoshmëri që impianti të rikonstruktohet. Në të vërtetë është dëmtuar tribuna kryesore e impiantit, por fatmirësisht pa pasur dëme të tjera në njerëz dhe dëme materiale të klubit në ambientet e brendshme.
Janë dëmtuar pjesët e jashtme dhe kjo e bën të domosdoshëm rikonstruksionin e tribunës kryesore të stadiumit në Korçë.
Ngjarja
Tribuna kryesore dhe lokali i stadiumit Skënderbeu u përfshi nga flakët paraditen e kësaj të enjteje, duke shkaktuar dëme materiale. Sipas informacioneve zyrtare, zjarri dyshohet se ka nisur nga bari i stadiumit e është përhapur më pas dhe në pjesën e tribunës, ku janë dëmtuar disa prej stolave.
Ndërhyrja e zjarrfikës ka bërë që flakët të vihen nën kontroll e më pas të shuhet zjarri, duke shmangur djegien e plotë të tribunës kryesore të stadiumit të korçarëve. Fatmirësisht nuk ka patur dëme në njerëz, pasi nuk ka patur aktivitet në momentin që ka rënë zjarri. Policia e Korçës po punon për të zbardhur të plotë shkaqeve të këtij zjarri, që rrezikoi edhe ambientet e brendshme të stadiumit, të cilat ndodhen poshtë tribunës kryesore. Tashmë, stadium duhet ti nënshtrohet një rikonstruksioni, për të riparuar dëmet e krijuara.
Referuar mediave sportive, ditën e tretë të stërvitjes së Skënderbeut trajneri Ivan Gvozdenoviç e kishte thuajse të kompletuar ekipin ekzistues, pasi me grupin janë bashkuar edhe ata që mungonin ditët e para. Bëhet fjalë për Marko Alian, Jurin, Marko Ramos dhe Ermir Rashicën, ndërsa për Dumfur nuk ka një datë se kur mund të bashkohet me ekipin. Në klub nuk konfirmojnë asgjë rreth një largimi të mundshëm të mbrojtësit ganez, por ka zëra se Randi kërkon një tjetër destinacion për sezonin e ri.
Në këtë rast pritet të shihet edhe pjesa e zgjidhjes së kontratës, nëse do të kishte vërtet një interesim nga Randi për të ndryshuar ambient. Lojtari ka kontratë edhe për 6 muaj me Skënderbeun. Mbetet gjithçka për t’u parë, pasi edhe para dy sezonesh Randi nuk u paraqit në grumbullim dhe doli në stërvitje me një ekip grek të kategorisë së dytë, por më pas u kthye në Korçë.
Sulmi duket se është “Thembra e Akilit” për Skënderbeun, pasi janë 4 largime nga ekipi i sezonit të kaluar, një shifër e lartë kjo. Korçarët kanë afruar Oniks Grezdën, por trajneri Gvozdenoviç kërkon në këtë repart lojtarë të tjerë me eksperiencë.
Skënderbeu ishte për Europë, por s’i ka përfunduar ende ndëshkimi
Skënderbeu e mbylli edicionin e kaluar në vend të katërt, pra duke qenë në top-4 që rivalizonte me formulën “Final Four” për titullin. Por siç dihet, korçarët janë të dënuar nga UEFA dhe nuk kanë të drejtë pjesëmarrje në kupat europiane. Dënimi do edhe disa vite të shlyhet, mpor klubi po përpiqet që tani të mbajë ritëm të lartë që të jetë gati për sfidat e ardhshme. Natyrisht, kanë qenë të bukura ditët kur Skënderbeu luante në Europë. Madje skuadra korçare dy herë mori pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës.