Nga Leka Bungo
Shumë vite me parë, Qamil Buxheli, njëri nga shkrimtarët më të shquar në fushën e satirës dhe humorit, botoi monologun: “A doni më për Belulin?”, një nga perlat e letërsisë shqiptare.
Edhe pse qysh atëherë kanë kaluar shumë vite, duket sikur është shkruar pak ditë më parë, të mërkurën e tre korrikut të vitit 2024, bash atëherë kur shqiptarët i dhanë lamtumirën e fundit Ismail Kadaresë .
“ Mbarsur” me Narcizin , ky vend ka lindur gjithëherë BELULER.
Pas lajmeve në faqet e gazetave, rrjeteve sociale, ekraneve televizive, për largimin nga jeta e njërit prej shqiptarëve më të famshëm në botë, diç me shtyu dhe nisa të shfletoja instingtivisht faqet e librit “Nuse nga Europa” të Qamil Buxhelit, në të cilin ishin përmbledhur tregime humoristike, skica, intervista dhe grimca humoristike.
Dhe natyrisht, syte u ndalen tek: “A doni më për Belulin”? Një shkrim në pak faqe por që “peshonte” sa një vepër në disa vëllime. Dikur, atëherë kur e lexova për herë të parë, qesha me gjithë shpirt. Asnjëherë s’kisha qeshur aq shumë. Asnjë herë. Kësisoj dje nisa ta lexoj me një frymë por më ndodhi diçka që nuk e kisha provuar asnjëherë më parë. Nuk arrita ta lexoja deri në fund …!
Madje në vend që të qeshja ….nisa të ndjej diçka që nuk mund ta përcaktoja ç’ishte. Një ndjenjë ndërmjet keqardhjes dhe dëshperimit më pushtoi. Nuk më erdhi për të qeshur. Nuk qesha.
Madje më erdhi keq. Edhe për vehten.
Si ndenja një copë herë me librin e hapur ndër duar, vendosa ta ribotoj të shkurtuar në faqet e TemA me shpresë se kur ta lexoj dikush tjetër nuk do DËSHPEROHET por do QESHË me gjithe shpirt si unë diku .
& & &
Ja ç’thotë Qamil Buxheli …..
QAMIL BUXHELI – A DONI MË PËR BELULIN? – monolog humoristik
Ah… more Belul… more Belul…!
Ç’na ike more Belul…!
Ah… more Belul…!
Tani, e thanë dhe shokët parafolës se, Belul Gjeraqina, që po përkujtojmë sot, ka qenë një shkrimtar i shquar. Parafolësit këtu përmendën kontributin e tij, idetë që përforcoi ai, por për këto flet vepra që Beluli na ka lëne. Këtu unë do të përmend të pashkruarat, që ta njihni mirë ju, që se keni njohur nga afër, siç pata unë rastin, nderin, mundësinë dhe kënaqësinë.
Ç’tu tregoj për Belulin more shokë. Më kujtohet si sot takimi i fundit me të. Ashtu si gjithë jetën, edhe në ato çaste, unë iu ndodha pranë. Tani…, iu ndodha pranë, se pranë më desh mua ai. «Ti Selo më frymëzon» thoshte, «mi shton forcat» më thoshte; dhe ja shtoja vërtet unë atij. Ai nuk gënjente kurrë. Këtë cilësi të vyer Beluli e kishte. Ç’të tregoj tjetër për Belulin? Më kujtohet si sot, u mbështet kështu në bërryla, në krevat siç ishte dhe më tha: «Selaudin i dashur, mik i shtrenjtë» me tha, «afrohu!». Unë iu binda. «Ti Selo» më tha, «ke qenë njeriu më i afërt për mua». «Epo s’ka gjë o Belul, nuk është ndonjë gjë…». «Jo» tha, «s’ke ç’e do jetën po nuk pate pranë një njeri me vlera». E kishte fjalën për mua. Dhe Beluli, more shokë, nuk gënjente kurrë. Këtë cilësi të vyer Beluli e kishte.
Ç’të tregoj tjetër për Belulin? Më lejoni t’u përmend një cilësi të veçantë të Belulit. Beluli s’ishte fare ziliqar. S’vuante nga zilia ai. Se nga vajta njëherë, mbase bëra dhe gabim xhanëm, i lexova një novelë nga ato që kisha shkruar unë…, kështu. Epo ç’bëri vaki thoni ju? Sa mbarova leximin, u ngrit dhe mori nga rafti nja dhjetë novela te tijat të palexuara dhe i hodhi në zjarr. «Po ç’bëre more kështu i thashë!?». «Gjepura» tha, «Gjepura. Tani që lexova dhe dëgjova novelën tënde» më tha, «më vjen turp» tha.«Ti Selo je…je gjeni» tha. «Nuk e merr me mend» tha, «se sa njeri i madh do të bëhesh. Për shumë kohë njerëzit, bashkëkohësit e tu» tha…, e kishte fjalën për ju, «nuk do ta kuptojnë dot» tha «se kanë në mes tyre nj gjeni». E kishte fjalën për mua… po nejse. «Nuk do ta kuptojnë dot» tha. Dhe kishte shumë të drejtë. Kanë kaluar njëzet vjet dhe atë novelë nuk ma botojnë. Domethënë e quajnë pa vlerë, sikur ka ujë të tepërt… nejse.
Eh…, ç’tu tregoj tjetër për Belulin? Tani…, talenti more shokë, qe njëra anë e tija. Ana tjetër qe burrëria, qe trimëria. i kishte marrë zjarr shtëpia njëherë Belulit. Zjarr mo zjarr. Të gjithë njerëzit kishin dalë jashtë shtëpisë. Beluli…, brenda! Flakët flakërinin gjeri në qiell e përpinin ç’të gjenin. S’pyesnin ato ishe poet a prozator, shkrimtar a artist, talent i madh a mesatar. Digjnin ato. Të përvëlonin. Të afërmit e Belulit kishin ulur kokat. Të tjerët kishin ngritur duart përpjetë. Zjarrfiksat, panë – ç’panë, bënë – ç’bënë, i prenë shpresat. Hoqën helmetat e thanë: «Aha…vate kjo punë!». Keq puna. Mua s’më mbante vendi. Tani…, s’më mbante vendi nuk është rasti, meqë po flasim për jetën e një shoku…, domethënë te flasim për vete. Këtë e thamë njëherë. Po ja, që kam një të keqe të madhe more shokë. Unë jam kokëkrisur. S’pyes për rrezik. Sidomos kur më rrezikohet shoku, mos më dil përpara se unë bëhem tigër. Dhe tigri më parë ulërin. Dhe unë ulërita. «Po s’ka këtu more një burrë!» thashë. «S’ka këtu një trim që të shpëtojë Belulin!». Asnjë. Asnjë more. Nuk durova më. Më hipi gjaku në tru. Mora një helmetë nga të zjarrfiksave dhe e vura në kokë.
Belul gjeraqina priste. Priste kështu…, si statujë. Priste që ta shpëtonin. Nuk i dridhej qerpiku i syrit Belulit. Tani qerpikët i ishin djegur e bërë naaa… . «Belul» thashë, «Ku je?» i vura helmetën e zjarrfikses në kokë dhe e mora Belulin në krahë. Sulmova flakët e para. Sulmova flakët e dyta, të tretat… .Për shtatë a tetë sekonda… përjashta. Me Belulin në krahë.
Kështu more shokë, domethënë more vëllezër. Përpara syve tuaj guximi, burrëria, trimëria… , e Belulit sigurisht.
Ja… kështu. Hë…, doni më tjetër për Belulin? Se dikush këtu nga ju, kërkoi që të flas diçka për veten time. Për veten time nuk flas as edhe një fjalë. Hiç. Unë doja t’u tregoj vetëm për Belulin. Doni më për Belulin? Doni më?
A DONI MË PËR BELULIN? – monolog humoristik
Nga Qamil Buxheli