Richard Nephew, Koordinatori Amerikan për Anti-Korrupsionin Global ka vizituar sot ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Kryeprokurori Altin Dumani e ka pritur vetë zyrtarin e lartë amerikan dhe i ka treguar ambientet e brendshme, zyrat ku punojnë prokurorët.
Siç dihet tashmë, raftet e zyrave të tyre nuk kanë më vende për të mbajtur dosjet dhe prokurorët u kanë gjetur vend duke i stivosur në dysheme.
Mirëpo, Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global është habitur nga pamjet që i ka treguar Altin Dumani. Zyrtari amerikan Richard Nephew e ka garantuar kryeprokurorin shqiptar dhe kolegët e tij se Amerika do të vazhdojë t’i mbështesë në rrugën e tyre.
“Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew pa sot në veprim institucionet gjyqësore shqiptare gjatë takimeve me kreun e SPAK, Altin Dumani, prokurorët e SPAK, si dhe përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.
Nephew dhe zyrtarët shqiptarë diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë që po forcojnë demokracinë e Shqipërisë teksa ajo përparon në rrugën e saj drejt BE-së”, njofton Ambasada Amerikane.
Richard Nephew ka takuar sot kreun e SPAK, Altin Dumani, prokurorët e SPAK, si dhe përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.