“Kemi një raport të ngrirë bashkëshortor”. Këto ishin fjalët e Monika Kryemadhit vetëm 2 muaj më parë në një intervistë që pati në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ishte koha kur përplasjet politike mes Metës dhe bashkëshortes së tij në “Partinë e Lirisë” ishin në kulmin e tyre. Deputetja tha se konfliktet politike kishin ndikuar edhe në jetën e tyre familjare.
“Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti se sigurisht që brenda familjes tonë, familjes së vogël, ka ndërhyrë njerëz të cilët mendojnë që duke shkatërruar pozicionimet apo lidhjet familjare do të kenë karrierë politike. Mendoj që nuk është hera e parë që unë dhe Ilir Meta kemi këto konflikte.
Ne nuk kemi këto konflikte parimore, morale midis njëri-tjetrit. Konfliktet tona janë vetëm konflikte politike. Patjetër që reflektohen sepse në qoftë se ne jemi dy njerëz të cilët punojmë nga mëngjesi deri në darkë në politikë, sigurisht që marrëdhënia është e përditshme edhe në familje. Ajo që mua më bën përshtypje dhe që e them gjithmonë, është që njeriu sa të rrojë do të mësojë” – tha Kryemadhi.
Ajo nuk i kurseu edhe mesazhet për personat që sipas saj, prishin lumturinë e një familje për të ndërtuar pushtetin e tyre.
“Mendjelehtësia më e madhe si te burrat, edhe te gratë qëndron kur mendojnë që lumturinë e tyre dhe pushtetin e tyre mund ta ndërtojnë duke rrënuar lumturinë dhe familjen e dikujt tjetër, por kjo nuk ndodh. Pse nuk ndodh? Nuk ndodh sepse marrëdhënia morale është shumë më e rëndësishme se marrëdhënia financiare,” – tha Kryemadhi.
Këtë të enjte Meta konfirmoi publikisht se kishte bërë gati letrat e divorcit me Monikën. Edhe pse të njohur që në rininë e tyre ata rezultojnë të martuar që nga 29 tetori i 1998. Të dy kanë 2 vajzat, Borën dhe Erën dhe një djalë, Besarin. Kohët e fundit ata kanë shpesh në dyer e SPAK pasi të dy janë nën hetim nga kjo prokurori. Për Kryemadhin po verifikohen disa kontrata lobimi për LSI-në ndërsa për Metën roli i tij në çështjen Cez-DIA. Për të dy po kryhet edhe verifikimi i pasurisë.