Sot Klodian Allajbeu në bazë të atyre që tregojnë bilancet dhe dokumenteve të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit ka një pasuri që kap vlerën e miliona eurove.
E kjo ka ndodhur falë spitaleve private dhe koncesioneve të përfituara nga qeveria e djathtë dhe e majtë. Por edhe pse deri më tani ai është konsideruar i paprekshëm për shkak se gjithë këto vite i ka shpëtuar shumë skandaleve dhe denoncimeve, tashmë ai mund të përballet me një situatë krejt tjetër.
Për herë të parë shkon në SPAK një kallëzim penal, i cili rendit të gjitha skandalet dhe aferat e Allajbeut, i cili dyshohet se përmes njerëzve të tij të besuar kontrollon dy nga koncesionet më të shtrenjta në shëndetësi, atë të laboratorëve me vlerë 130 milionë euro dhe hemodializës me vlerë 84 mln euro.
Detajet nga dokumenti që ka shkuar në SPAK
Në Prokurorinë e Posaçme është depozituar kallëzimi penal ndaj “oktapodit të koncesioneve” duke kërkuar që ai të hetohet për akuzat e “falsifikimit të dokumentave”, “vjedhjes me anë të mashtrimit të pasurisë publike”, “korrupsionit aktiv të funksionarëve publikë”, “fshehjes së të ardhurave” dhe “pastrimit të parave”.
Përveç këtyre akuzave, avokatja ka kërkuar hetime edhe për një sërë kompanish, për të cilat ka dyshime të forta se kontrollohen në mënyrë indirekte nga Klodian Allajbeu, përmes personave të besuar. Hetimi është kërkuar për shoqëritë “Western Balkans University”, “Evita” shpk dhe administratoreve, Elona Saraci dhe Majlinda Fetiut, e cila dyshohet si ortake fiktive e “Evita” shpk. Lista e kompanive për të cilat është kërkuar hetimi vijon me “Anamark” shpk (ish ndërmarrja e karburanteve), “Blue Sea Mariculture”, “Con Energy Albania”, “Energy projekt”, “Future Cement”, “Medidal Recycling”, “Internacional Hospital (spitali Hygea), “Dia Vita shpk”, “Balkan Alliance Healthcare BV”, e krijuar në shtetin e Holandës, “KA Healthvare limited’, “Diaverum International AB”.
Pjesë e kallëzimit janë edhe zyrtarët përgjegjës të mbikëqyrjes së kontratave koncesionare dhe e para është Ogerta Manastirliu, ish-ministre e Shëndetësisë, e cila është kallëzuar për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore.
Pas saj në listë vjen Erion Manohasa, Alketa Hila, Anila Denaj, Adela Xhemali, Rudina Degjoni, Elsa Berziu, Albana Çela, ish-drejtues të Fondit të sigurimit të detyrueshëm Shëndetësor. Rasim Hamzaraj, Jani Karathano, Sokol Ramizi, dyshohet se janë “maskat” e Allajbeut përmes të cilëve kontrollon koncesionet miliona euro.
Ka dyshime se paratë përmes një zinxhiri kompanish trasferohen në Holandë e prej andej në Britaninë e Madhe ku investohen në pasuri të paluajtshme. Këtu përmendim “Diavita Sh.P.K” një kompani që u krijua nga dy kompani të tjera, përkatësisht 15% zotërohej nga American Hospital i Klodian Allajbeut dhe 85% nga Evita sh.p.k.
Pas marrjes së koncesionit së hemodializës, për të humbur gjurmët, Evita sh.p.k shiti aksionet e saj tek një kompani guackë në Holandë për vetëm 160 mijë euro. E njëjta gjë vlen edhe për koncesionin e laboratorëve i cili u fitua nga bashkimi i kompanive “Labopharma” me qendër në Tiranë, “Exalab” me qendër në Francë dhe një kompani guackë me emrin “AB Laboratory Solution” B.V e cila rezulton e regjistruar në Holandë.
Për Allajbeun situata do të jetë edhe më e vështirë, pasi pak ditë më parë rezultoi se të gjitha raportet e KLSH për koncensionin e dializës për të sëmurët nga veshkat, me vlerë 84 milionë euro, është po aq korruptiv se edhe 3 koncensionet e tjera kanë përfunduar në SPAK.
Me provat dhe faktet që janë kapur për këtë koncesion, këtë herë SPAK nuk e amniston dot Klodian Allajbeun, pronarin e Spitalit Amerikan, i cili vazhdon t’i shkaktojë dëme marramendëse shtetit shqiptar me hemodializën.