Prokuroria e Posaçme për të shkuar te pasuritë e fshehura të Monika Kryemadhit e Ilir Metës po lëviz çdo gur. Tashmë ata e kanë gjetur një nga çelësat që hap dyert e burgut për çiftin më të akuzuar për korrupsion. Hetimet e SPAK janë shtrirë deri te oligarkët.
Burime të sigurta të gazetës “SOT” bëjnë me dije se agjentët specialë kanë zbarkuar te zyrat e një biznesmeni të fuqishëm që dyshohet se mbulon pasuritë e Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Ky oligark është një nga përfituesit e mëdhenj të parave dhe pasurive publike të dhëna nga pushtete të ndryshme, si nga Rama, por edhe nga Berisha.
Gazeta nuk po e përmend emrin e tij, pasi çështja është nën hetim, por fakti është se dokumentacionet, kompjuterët dhe materiale të tjera komprometuese janë sekuestruar nga SPAK si prova për të zbërthyer aferat e ish-presidentit.
Çfarë tregojnë dokumentet e sekuestruara nga SPAK?
Dokumentet tregojnë se ky oligark mbulon pasuritë me vlerë miliona euro të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të paktën që nga viti 2007. Burimi i këtyre pasurive dyshohet se janë paratë që çifti Meta-Kryemadhi kanë siguruar nga aferat korruptive gjatë periudhave kur kanë qenë në pushtet, 2000-2002, 2009-2013 dhe 2013-2017. Monika Kryemadhi dhe nëna e saj Fatime Kryemadhi rezultojnë se kanë disa pasuri në bashkëpronësi me kompaninë e ndërtimit të këtij oligarku, pasuri të cilat zonja Kryemadhi nuk i ka deklaruar në ILDKPKI, duke shkelur detyrimin ligjor. Në dokumentet hipotekore rezulton se Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi dhe kompania Agi Kons kanë edhe 1 mijë m2 tokë në Mjull Bathore, përballë TEG. Nuk dihet se si zonja Kryemadhi dhe nëna e saj Fatime Kryemadhi, e kanë blerë këtë pasuri në 2019.
Detajet nga hetimet
Prokuroria e Posaçme pritet të marrë në pyetje persona të tjerë në lidhje me hetimet që po kryen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes se tij Monika Kryemadhi. ABC Neës bëri me dije dje se në prokurori do të thirren për të dhënë sqarime persona që mund të kenë dijeni për veprat penale për të cilat SPAK po kryen verifikime për ish çiftin presidencial siç janë pastrimi i parave dhe mosdeklarimi i pasurisë.
Kujtojmë se pak ditë më parë në Prokurorinë e posaçme u pyetën Ilir Meta e Monika Kryemadhi në cilësinë e personave që kanë dijeni. Kryemadhi pas daljes nga SPAK pranoi se ishte thirrur për të dhënë sqarime për hetimet e nisura mbi verifikimin e pasurisë, ndërsa ish-presidenti Meta nuk dha sqarime përballë gazetarëve por me gjuhe me te ashpër se kurrë, sulmoi drejtuesin e SPAK Altin Dumani.
Për te njëjtin hetim më herët është marrë në pyetje edhe nëna e Monika Kryemadhit. Mësohet se gjatë verifikimeve ka rezultuar se Fatime Kryemadhi, por edhe persona të tjerë, kanë lidhje me disa transaksione parash te transferuara në drejtim të fëmijëve të çiftit Meta-Kryemadhi. Po kështu në banesën e saj gjate një kontrolli me urdhër të SPAK, janë sekuestruar 5 telefona celularë, 1 prej të cilëve në pronësi të Monika Kryemadhit. Kujtojmë se SPAK po heton që nga muaj gushti i vitit 2022 Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Bëhet fjalë për tre procedime penale të regjistruara pas kallëzimeve të bëra nga ish deputeti Halit Valteri, avokati Idajet Beqiri dhe gazetari Adriatik Doçi për lobim në SHBA me para të padeklaruara dhe të pajustifikuara, shpenzime të fshehura për shërbime estetike dhe skema korrupsioni. Ilir Meta po hetohet edhe për rolin e tij në aferën CEZ-DIA. Hetimet po ndiqen nga prokurorët Sotir Kllapi dhe Arben Kraja. Përflitet se në hetim është angazhuar edhe kreu i SPAK-ut Altin Dumani.