Në 20 Tetor 2018 në portalin Kosovar “Prizren Post”, publicisti i njohur turk Ayhan Demir, publikoi një artikull shumë të fortë me titull “Organizata terroriste FETO dhe kumbarët e saj në Shqipëri”.
Asnjë media në Shqipëri nuk i bëri jehonë analizës dhe fakteve që përçonte artikulli i Demir, për shumë personazhe që mund të njihen si emra, por jo si peshë që kanë në jetën politike dhe mediatike shqiptare, dje dhe sot. Feto, e shpallur si organizatë terroriste nga Erdogan, organizata e klerikut, rivalit dhe armikut të përbetuar të tij, Fethullah Gulen, sipas shkrimit ishte ulur këmbëkryq në Shqipëri, në shtëpinë e KMSH (Komuniteti Musliman Shqiptar), që ishte nën drejtimin e Haxhi Selim Muçës, deri në vitin 2016. Demir shkruan: “Selim Muça, ndihmoi FETO-n me forcën që merrte nga postet e fëmijëve të tij në strukturën e shtetit shqiptar.”
Dihet botërisht që Erdogan nuk “inaguron” Xhaminë e Madhe të Tiranës, vetëm për shkak se trashëgimia e KMSH, mbetet ende sot, që nga koha e Selim Muçës, në duart e “Fetos”.
Drejtuesi i parë i myslimanëve pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ishte Haxhi Hafiz Sabri Koçi, një hoxhë pasionant dhe shumë i respektuar, për vuajtjet në burgjet e diktaturës për 20 vjet, për arsye se nuk e mohoi kurrë besimin fetar.
Para se të ndëronte jetë në moshën 83 vjeçare, Hafiz Sabri Koçi kishte projektuar si pasardhësin e tij, sekretarin e përgjithshëm të KMSH, Salih Tivarin. Në janar të vitit 2003, Salih Tivari gjendet i vdekur në zyrën e tij, pranë Medresesë, vrarë nga persona ende të paidentifikuar.
Dritan Dajti, një nga emrat më të njohur të botës së krimit, i akuzuar dhe dënuar për vrasjen e katër policëve në Durrës në 2009-ën, akuzoi në vitin 2011 në sallën e gjyqit, Arjan Muçën dhe babain e tij Selim Muça, si organizatorë të vrasjes së Tivarit me qëllim që më pas, Selim Muça të zgjidhej kryetar i Komunitetit Mysliman.
Selim Muça zgjidhet në 2004 pas dy votimesh kryetar KMSH, post që e mbajti deri në 2016, kur vdiq.
I biri, Ermal Muça, në 2005 emërohet nga Sali Berisha, Kryekancelar i Ambasadës së Shqipërisë në Ankara, e më pas Kryekonsull i Shqipërisë në Stamboll. Demir e konsideron Ermal Muçën si gylenist, me lidhje të forta me Feton, i cili në qeverinë socialiste të Edi Ramës, vazhdoi karrierën për shkak të njohjes dhe miqësisë së “gylenistëve” Arben Ahmetaj dhe ish Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Miqtë në kampin socialist e katapultuan për disa vite nga 2016, si Konsull i Republikës së Shqipërisë në Kanada, ndërsa në shkurt të këtij viti, Rama e hoqi nga Kanadaja dhe e emëroi konsull në Japoni.
Vajza e Selim Muçës, Alma Muça prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme, nisi karrierën në vitin 2001 si prokurore e thjeshtë, ndërsa në 2013 me ndërhyrje nga PD, emërohet në Prokurorinë e Përgjithshme. Në vitin 2016 emërohet drejtore, ndërsa në 2017 pezullohet përkohësisht për ngjarjen e njohur si “Masakra e Çoles” ku mbetën të vdekur 3 persona, sepse u akuzua për korrupsion, për favorizim dhe ndryshim të akuzës, bashkë me një prokuror tjetër. Pas “mbylljes” së çështjes, Alma Muça kaloi edhe vetting-un pa probleme në vitin 2019. KPK mbylli sytë për vajzën e Selim Muçës, ndërsa justifikoi pasuritë e gjetura, si trashëgimi të lënë nga babai. Për të ndihmuar vetting-un e Muçës, disa vërtetime u lëshuan edhe nga KMSH.
Djali tjetër, ish drejtori i Skuadrës së Operacioneve Specialeve në ngjarjen e arrestimit të Dritan Dajtit, njihet si një nga njerëzit më të afërt të Berishës, që kur ky e kishte emëruar Shef Krimesh në Tropojë me ardhjen në pushtet të demokratëve. Me shumë “bëma” berishiane në kurriz, habiti me vazhdimin e pacënuar të karrierës në epokën “socialiste”.
Përveç tre pinjollëve, “topografi” i Bulqizës Selim Muça, kishte edhe dy vëllezër, Jonuzin dhe Hekuranin, të njohur si aktivistë të flaktë të regjimit komunist në qarkun e Dibrës. Jonuzi, u caktua me detyrë për 20 vjet, nëndrejtor i Shkollës Profesionale të Bulqizës, ndërsa Hekurani u sistemua në “frontin” e minierës së kromit. Pas ardhjes së demokracisë, Hekurani punoi për kompaninë kanadeze “Empire Mining”.
Altin dhe Klodiana Muça janë pinjollët e Jonuzit. Altini është Zëvendës Drejtor Ekzekutiv i Fondit “Besa”, kompani mikrofinanciare e krijuar prej tij dhe Bajram Muçaj, në vitin 2008. Aksioneri kryesor i Fondit “Besa” është “Fondacioni ALBANIAN BESA CAPITAL”, fondacion që i përket fushës së influencës së filantropit George Soros. Klodiana Muça punon në Ministrinë e Financave në drejtorine e privatizimeve prej shumë vitesh…
Ervin Muça, personazhi mediatik i javëve të fundit, është i biri i Hekuranit dhe nip i Selim Muçës. Ky i fundit i vendos nofkën “hardhuca”, për shtatin dhe kuriozitetin që kishte për makinat. Muça e dërgon nipin e shkathët në 2002 në Bari për të studiuar inxhinieri elektronike, shkollim që I duhej “klanit” por që hardhuca e lë në mes në vitin 2004. Pasi tenton të sistemohet në Itali, në vitet 2007 dhe 2008, shoqërohet disa herë nga policia italiane që i prish lejen e qëndrimit, për shkak të aktiviteteve kriminale (vjedhje makinash). Largohet për në Sion të Zvicrës për disa vjet tek miqtë e xhaxhait, i cili e kthen në 2013 në Shqipëri. Bashkë me Arbër Hasanaj, të birin e Rasim Hasanajt, Kreut të Shoqatës së Kulteve, Muça sistemohet në Ministrinë e Financave, fillimisht si Specialist në Drejtorinë e Sistemeve dhe Teknologjisë së Informacionit, deri në tetor 2015, më pas si përgjegjes sektori. Në tetor 2018, Valdrin Pjetri, Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, me urdhër nga “lart” e emëron Mucën, Drejtor Analize në sistemin elektronik të hipotekës.
Me ardhjen e Artan Lames, ky i fundit e shkarkon në qershor 2019, pasi ishte informuar për rrjedhjen e të dhënave për pasuritë e paluajtshme që bënt Muca. Rikthehet drejtor IT në Ministrinë e Financave, ku mbulonte edhe Drejtorinë e Tatimeve dhe monitoronte transfertat e pagesave që bënte thesari prej buxhetit të shtetit. Një skandal “elektronik” me transfertë buxheti 1.1 miliardë lekë të bërë nga Muça, u mbyll pa shumë bujë brenda Ministrisë së Financave, derisa në dhjetor 2021, doli skandali tjetër i shitjes së databazës së Tatimeve, ku dolën online lista e pagave per 630 mijë persona, 900 mijë numra celulari dhe 530 mijë targa makinash.
Prokuroria arrestoi disa punonjësë tatimesh, ndërsa Muça dha dorëheqjen. Eni Qirjako e arrestuar, në polici deklaroi “Kam njoftuar drejtorin Ervin Muça se emri i user-it nga i cili kanë dalë të dhënat mbante emrin Moza Seraj. Une kërkova ndryshimin e user-it me emrin “Moza Seraj” te shefi por ndryshimi nuk u bë prej tij”. Eni Qirjako tregoi edhe detaje të tjera për Muçën, por dikush i “foli” në vesh dhe ndryshoi çdo deklaratë që kishte dhënë për Muçën, në gjykatë. Ervin Muça shpëtoi, ndërsa e “akuzuara” Eni Qirjako u dënua vetëm me 32 muaj shërbim prove.
Kariera e Muçës vazhdoi paralel dhe qetë në tatime dhe si këshilltar i jashtëm në Kadastër. Dikush e “zbuti” Artan Lamen, që e kishte shkarkuar Muçën më parë.
Klani “Muça” fillon operacionin për krijimin e Kadastrës Digjitale. Rama u bind nga klani “Muça” që të njëjtin sukses mund ta praktikonte edhe në Policinë e Shtetit, me të njëjtin person. “Punën e Olsit mund ta bëjë vetëm Zhapiku”, pëshpëritën zëra nga brenda stafit të Kryeministrit.
Ervin Muça emërohet me urdhër të prerë të Ramës, Drejtor i Departamentit për Teknologjinë e Informacionit, duke tejkaluar çdo procedurë.
Shpejtësia e emërimit nga ministri Çuçi, brenda 24 orëve lidhej me një veprim të shpejtë që duhej kryer në datën 2 gusht. Muça u fut me dis të njohur në ambjentet e serverave pranë Komisriatir 3 dhe rrëmben të gjithë informacionin policor me gjithë TIMS në pasditen deri natën vonë të 2 gushtit 2023.
Një shok i Muçës ndërhyn në serverin TIMS. Shteti u ngrit me “vonesë” në këmbë, me Ardi Veliun në krye. Ky i fundit largohet pas disa ditësh nga detyra si drejtor i AMP. Muça u pezulla tre ditë, por më pas vazhdoi punën i pashqetësuar deri në ditën e arrestimit (9 prill 2024).
Komisioni hetimor për çështjen “Tims” udhëhiqet nga Ervin Salianji, në rrezik sa vetë Muça për të kaluar nga salla e parlamentit në burg, për çështjen “Babale”.
Sali Berisha, sipas bodigardëve të tij, ka lidhje të drejtpërdrejtë me Ervin Muçën, nëpërmjet “shef” Arianit, nipit të Selimit dhe ithtarit të flaktë të tij. Dokumente që nuk i ka komisioni hetimor, Muça ia dërgon direkt doktor Berishës, me të cilin thuhet se është takuar edhe në shtëpinë e tij në prani të Arjan Muçës, paçka masës së arrestit.
Berisha doli në ballkon disa herë dhe në sinkron të plotë me mediat proqeveritare, mbrojti të akuzuarin Ervin Muça, i cili ka “zbuluar një skandal më të madh” se sa ai për të cilin është arrestuar. Disa persona kanë dashur të kalojnë kufirin elektronik në Rinas, për t’iu shmangur TIMS kriminal. Nevila Xoxa, ish drejtorja e DTI para Muçës ishte një ndër to.
Zhapiku i klanit “Muça” ka depërtuar kudo, në Tatime, në Polici, në Kadastër, në Ministrinë e Financave… ka prekur çdo sistem elektronik. Përse ky person kudo?
Çfarë force madhore ka bashkuar pushtetin dhe opozitën në çështjen “Muça”?
Çfarë fshihet tjetër pas fijeve që vijnë nga jashtë Shqipërisë, depërtojnë brenda insitucioneve shqiptare dhe lidhin ngatërrueshëm politikën, fenë, krimin dhe korrupsionin?