Qeveria e Kosovës ka reaguar zyrtarisht për vizitën e kryeministrit Edi Rama sot në Prishtinë, në agjendën e të cilit nuk kishte një takim kokë më kokë me Albin Kurtin.
Shumë akuzuan këtë të fundit që nuk gjeti kohë për Ramën, por Qeveria e Kosovës pretendon të kundërtën.
Zëdhënësi Përparim Kryeziu thotë se Zyra e Kryeministrit Edi Rama është ftuar zyrtarisht të marrë pjesë në aktivitetet për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, më datë 12 Qershor, por ka marrë përgjigje negative.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë ndodhet sot në Kosovë, më 10 Qershor ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Edi Rama ndodhet sot në Prishtinë për të rregulluar marrëdhëniet me ata që konsideron se ka nevojë.
“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet.
Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor.
Ai është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës.
Një reagim që duket se thellon dhe më tej krizën në raportet mes dy kryeministrave shqiptar, Edi Rama dhe Albin Kurti.