Jo vetëm kanë ndarë bashkë 14 milionë euro para publike me koncensionin e dyshimtë të pastrimit të Kamzës, por pazaret mes Xhelal Mziut dhe Sadri Abazit kanë shkuar më tej, deri në ortakëri. Dyshja është një nga simbolikat më flakëruese të dashurisë PS-PD.
Prapaskena mëson se ish kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu dhe ish deputeti i PS, Sadri Abazi, i kamufluar përmes nipit të tij, Arbër Abazi, po ndërtojnë një hotel me vlerë disa milionë euro në Golem.
Madje gjatë ndërtimit kanë pasur edhe mosmarrëveshje dhe një incident, i cili është mbajtur larg policisë për të mos tëhequr vëmendjen e SPAK-ut.
Cili është burimi i parave të investimit dhe a është ky hotel arsyeja se pse disa ditë më parë Xhelal Mziu doli i zvedhur nga dera e SPAK-ut?
Në vëmendje po sjellim koncensionin e lakuar si korruptiv me vlerë 14 milionë që Xhelal Mziu i dha kompanisë Alko Impex të nipit të Sadri Abazit, për pastrimin e Kamzës.
Në maj të vitit 2018, një vit para se të largohej si kryebashkiak i Kamzës, Xhelal Mziu nënshkroi kontratën e koncensionit të pastrimit me Alko Impex dhe kompaninë 2T të Artan Sakos, vëllai i ish drejtuesit të Gardës, Gramoz Sako, përmes kompanisë koncensionare ECO CLEANING.
(Alko Impex, në letra, është në pronësi të Arbër Abazit. Në gusht 2022, në kuadër të e-mail-eve që i janë drejtuar Kryeministrit Edi Rama, u publikuar edhe një e-mail që Sadri Abazi i kishte dërguar Ramës, ku ankohej se ARRSH-ja nuk i kishte dhënë Alko Impex tenderin e mirëmbajtjes së rrugëve në 4 rajonet e vendit. Letra nuk lë vend për dyshime se kush është pronari real i Alko Impex).
Alko Impex menaxhon edhe mbetjet e Tiranës, në zonën 3, që përfshin Kombinatin dhe rrethinat e saj. Makineritë e tij të pastrimit kalojnë edhe në zonën e Kamzës për të mbledhur mbetjet, i bëjnë bashkë dhe i depozitojnë në Sharrë duke i deklaruar sikur janë të Kombinatit.
Koncensioni është kaq korruptiv saqë nga frika e SPAK, Alko Impex dhe 2T, janë hequr nga kontrata para afatit të mbarimit.
Paratë e këtij koncensioni korruptiv mund të kenë përfunduar pjesërisht në hotelin e përbashkët të Abazit dhe Mziut në Golem.
Alko Impex ka marrë mbi 110 milionë euro tendera publikë e vetme dhe në bashkëpunim. Miliona euro janë përfituar nga diferenca e papërfillshme mes ofertës fituese dhe fondit limit, shenjë që tregon paracaktimin e fituesit. Miliona euro janë përfituar nga mashtrimi me zbatimin e kontratave.
Ndërkaq, Xhelal Mziu, i cili një vit kalon me PD-në e Bashës dhe vitin tjetër me linjën e nongratës (Rithemelimit), ka deklaruar si pasuri një shtëpi në Kodër Kamëz, me vlerë 5.7 milionë lekë.
Si burim të ardhurash Mziu deklaron të ardhura nga puna si emigrant në Greqi nga viti 1992 deri në 1995, punë të ndryshme krahu, ndihmë nga të afërmit e tij, para të kursyera nga paga e tij më vonë dhe e bashkëshortes, si dhe një kredi 2.8 milionë lekë.
Mziu ka marrë dërgesa bankare prej më shumë se 74 mijë eurosh nga vëllai në Angli dhe kunati në Greqi gjatë viteve të deklarimit të pasurisë si kryetar i Bashkisë Kamës për 3 mandate.
Kjo është pasuria e deklaruar. Prapaskena mëson se pasuria e reale dhe e kamufluar e Xhelal Mziut përfshinë pallate, apartamente, lokale, biznese si dhe këtë hotel me vlerë miliona euro në Golem.
A po heton SPAK pasurinë e Xhelal Mziut? Nëse po, a do të mundë SPAK dhe BKH të identifikojnë pasuritë e Xhelal Mziut të fshehur në emrin e të afërmve dhe biznesmenëve, me të cilët ka ndarë paratë publik gjatë 12 viteve në krye të Bashkisë Kamzës?
Në 20 dhjetor 2013, Xhelal Mziu u arrestua për korrupsion me tendera. Arrestimi ishte si ato provat në teatrin amator. Grupi i PD rrethoi vendin ku ishte izoluar Xhelal Mziu. Gati sa nuk shkulën telat, duke e konsideruar arrestimin si politik dhe revansh të pushtetit të ri.
Doktor Mziu doli pas disa ditësh nga qelia. Mziu u dënua më vonë me dy vite burg, por edhe ky dënim ishte thjeshtë një ‘mastrubim’ i drejtësisë së Adriatik Llallës dhe Gjin Gjonëve të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Xhelal Mziu mori lehtësisht pafajësinë në Apel.
Mziu u shpall i pafajshëm nga ‘kamikazja’ e PD, gjyqtarja Fatmira Hajdari, e shkarkuar më pas nga të dy shkallët e Vetingut për 1 milionë euro pasuri të pajustifikuar dhe që kishte fshehur faktin se Ambasada Amerikane i kishte hequr vizën amerikane si e korruptuar. Zonja Hajdari kishte ndërtuar një pallat në Tiranë me para të pajustifikuara dhe madje mbi tokë publike të grabitur.
Sot, SPAK dhe GJKKO nuk kanë lidhje me drejtësinë që palosi Vetingu. Nëse SPAK do të hapë letrat e këtij hoteli dhe të ndjekë rrugën e parave, doktor Mziu mund t’i bjerë daulles te 313!