Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni pritet të vizitojë Shqipërinë ditën e nesërme, më 5 qershor.
Kjo është konfirmuar nga qeveria italiane, ndërsa Meloni do të zhvillojë një vizitë të përbashkët me Kryeministrinë e Shqipërisë, Edi Rama, në orën 12: 20, në zonat që mbulon protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për çështjet e migracionit.
Vizita e kryeministres Meloni vjen në kuadër të Javës Italiane të Kulturës në Shqipëri, ndërkohë që vijojnë dhe punimet për kampin e emigranteve që do të sistemohen në Shëngjin në kuadër të marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.
Pritet që veç takimit me kryeministrin Edi Rama, Meloni të inspektojë dy qendrat e pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës ku kanë nisur punimet prej gati dy muajsh.
Pakti për emigrantët u firmos në Romë më 6 nëntor 2023 nga kryeministri Rama dhe Meloni, edhe duke u ratifikuar në parlamentin e të dyja vendeve. Marrëveshja ka një afat 5-vjeçar, ku emigrantët që tentojnë të hyjnë në Itali do të sillen në Shqipëri, në Gjadër dhe në Shëngjin të Lezhës ku po ngrihen strukturat akomoduese të tyre deri në pritje të miratimit të kërkesë për azil apo dëbimit të tyre në atdhe.
Kapaciteti maksimal është 3 mijë emigrantë dhe procesi i verifikimit dhe procedurat e përshpejtuara për azil nuk do të zgjasin më shumë se 28 ditë. Në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.