Një incident i rëndë që mund të rrezikonte seriozisht jetën u shënua para godinës së bashkisë së Tiranës paraditen e sotme (28 maj) teksa po mbahej protesta e organizuar nga grupi i PD-së së Rithemelimit të Sali Berishës dhe Partisë së Lirisë.
Në një moment një bombë Molotov e hedhur nga një militant i Berishës apo i Metës – që duket se ka shkuar keq – përfundoi në afërsi të kordonit të policisë, ku ndodheshin qytetarë, operatorë dhe gazetarë dhe jo drejt godinës së bashkisë
Këto ishin momente paniku e tmerri pasi rrezikoi seriozisht jetën e atyre që ndodheshin aty për të ndjekur protestën lejen e të cilës në polici e merr “Aleanca për Mbrojtjen e qytetarëve”.
Në video duket njerëzit që në panik e sipër përpiqen të largohen me vrap para se të shpërthejnë flakët. Një burrë tërheq me vrap bicikletën dhe janë vetëm sekondat të cilat i kanë falur jetën. Një tjetër që ishte afër zjarrit duket që në pantallona e ka prekur pasi ai përpiqet ta shuajë me dorë, ndërsa një djalë i shkon në ndihmë.
Menjëherë ndërhyri policia me fikëse zjarri për të shuar flakët të cilët mrekullisht nuk pësuan djegie.
Protestë pas proteste, numri i pjesëmarrësve sa vjen e pakësohet, siç ndodhi edhe në këtë tubim të nëntë. Pamjet me dron tregojnë para vetëm një grusht militantësh para bashkisë. Në protestë ishin të pranishëm përfaqësues të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë.
Pas një jave mungesë, në tubim u rikthye e bija e Sali Berishës, Argita Berisha, në bluzën e së cilës sërish ishte stampuar thirrja për lirimin e babait.Pas protestuesve që u larguan me vetëm 1 orë e 20 minuta revoltë, vendin ua lanë ekspertëve të kriminalistikës për të dokumentuar vandalizmin.
Kjo ishte protesta e 9-të ndërsa takimin e radhës e lanë të martën, ku do të kërkojnë sërish dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, me protagonist ish-rivalin i tij në zgjedhjet vendore të 1 viti më parë, Belind Këlliçi.