Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare Astrit Hafizi, mendon se trajneri Silvinjo do të jetë ai i cili në fund do të mbajë përgjegjësitë për të gjithë zgjedhjet që ka bërë në listën e tij për Euro 2024. Në një intervistë të dhënë për “Vizion Plus”, ai ka folur rreth pasigurisë që është krijuar për faktin që Silvinjo nuk shpjegoi zgjedhjet e tij dhe se edhe vetë lojtarët e lënë jashtë tashmë duhej të flitnin për këtë situatë të krijuar.
Gjithashtu, ai bëri thirrje që të shmangej euforia e tepërt me deklarata para aktivitetit, sidomos nga ana e drejtuesve të FSHF dhe pjesëtarëve të ekipit, për të mos krijuar pritshmëri të rremë në një grup të vështirë.
Cili është komenti juaj për listën e shpallur nga Silvinjo?
Të them të drejtën nuk më ka bërë përshtypje. Janë gjëra që në mënyrë ekskluzive janë të trajnerit, zgjedhja e lojtarëve. Duhet t’i pranojmë dhe t’i marrim të mirëqena. Rëndësi ka mendoj unë që për Silvinjon të mos ketë ndonjë peng, të mos ketë ndonjë paqartësi me veten e vet apo ndonjë mundësi që më vonë e bën të pendohet, të jetë me veten e vet I qartë dhe I pastër. Pastaj faturën e kësaj do ta marri si për mirë dhe si për keq trajneri I kombëtares.
Tre janë emrat më të rëndësishëm të përjashtuar: Cikalleshi, Uzuni dhe Bare. Sipas jush janë zgjedhje teknike apo arsye të tjera?
E dëgjova konferencën për shtyp të Silvinjos. M’u duk pak kontradiktor me lojtarët që ka marrë dhe me lojtarët që ka lënë jashtë në shpjegimet që ai jepte për arsye të ndryshme, Nuk mora vesh a ishin të dëmtuarit pjesë, apo ishin në mungese të aktivizimit dhe formës së tyre jo në 100%?? Pra ishin disa momente ku diku u përplaste. Pra ajo çfarë mendonte dhe ajo çfarë mendonte me atë çfarë kishte thënë, ose çfarë kishte në listë.
Nëqoftëse I referohemi rikthimit të disa lojtarëve, siç është Abrashi apo Gjasula, unë mendoj se kemi të bëjmë një rikthim mbrapa të cilin ai e shpjegoi se njeri prej tyre ka shpirtin, ka zemrën, ka atë grintën në skuadër. E kështu ne mund të themi pa frike se kjo grinte deri më tani qe e sjell Abrashi ka munguar në skuadër, nuk ka pasur ne eliminatore, nuk ka qenë kjo luftë, ky shpirt. Ose një tjetër aspekt është eksperienca, përvoja që përmendi trajneri. Prapë, nuk kemi pasur përvojë në eliminatore? Në fakt ne kemi pasur lojtarë të të gjitha kategorive në eliminatore. Një prej tyre ka qenë Cikalleshi, një lojtar më eksperiencë, nga e cila mund të përfitojmë shumë edhe ne, paçka se ndeshjet e tij kanë qenë më shumë duke luajtur në veprime mbrojtëse sesa sulmuese në detyrat që ai merrte. Nuk ishte faji i tij.
Disa të tjerë nuk kanë formë, nuk kanë 100% minuta loje? Këtu jam më Silvinjon sepse ne nuk e kemi luksin të lëmë jashtë lojtarë që nuk luajnë shumë. Nuk jemi një kombëtare e madhe për të pasur bollëk zgjedhjesh, jemi Shqipëria. Po marr vetëm një shembull. Nëse do të vepronim mbi këtë standard, atëherë të parët që do të qëndronin jashtë listës dhe nuk do të duhej të luanin do të ishin dy portierët, me gjithë vlerësimet që kam për ata të dy se janë portierë të mirë, sidomos Berisha I cili në 2016, ishte një nga pikat më të forta tonat në Europian dhe që na shtyu përpara. Ne nuk mund të fusim Kastratin në lojë meqenëse ai aktivizohet në klube, meqë Berisha e Strakosha nuk kanë minuta. Flas gjithmonë për këto kushte ku jemi.
A e ka luksin Shqipëria të lërë jashtë një lojtar si Uzuni që ka luajtur rregullisht në La Liga?
Ky është një problem për të cilin shpesh herë është folur në shtyp. Nuk e di nga ka dalë, nga mediat ndoshta. Që forma e tij sportive nuk ka qenë shumë e mirë sepse ka qenë i sëmurë dhe ndonjëherë ka luajtur edhe me gjilpëra te skuadra e Granadës. Edhe ndoshta mund të jetë ndonjë sebep kjo për të gjetur një argument që forma e tij nuk ka qenë e mirë, dhe më mirë të shërohet plotësisht. Këto mund të jetë versione. Por rëndësi ka që si për Uzunin, si për Cikalleshin, si për lojtarë të tjerë që nuk u morën, duhet të jetë një përkufizim I drejtë arsyeja përse nuk merren. Se nuk janë arsyet që unë përmenda.
Duhet të presim reagimin e lojtarëve, të cilët në fakt në disa raste nuk tregojnë të vërteten se përse nuk erdhën në kombëtare. Nëse trajneri flet se arsyeja është shëndeti, ti duhet ta përgënjeshtrosh dhe të thuash nuk është shëndeti. Nëse është për formën, ti duhet ta përgënjeshtrosh edhe këtë. Por kam vënë re që një pjesë e mirë e lojtarëve, duke përfshirë edhe Cikalleshin nuk e bëjnë këtë gjë. Edhe vetë Cikalleshi kur ishte I paangazhuar në kohën e Panuçit. Në ndonjë rast në mospërfshirjet e tij në kombëtare ai nuk merrte përsipër se kush është e vërteta. Panuçi fliste për vonesa e moskorrektësi të cilën ai asnjëherë nuk e përgënjeshtroi. Pastaj kur edhi me Rejën, po e them këtë si shembull, sepse realisht mua me vjen keq që ai nuk është në grup sepse ka dhënë shumë për kombëtaren, ai filloi të sulmonte opinionin publik; duke thënë: Ja skeptiket ta marrin vesh kush jam.
Me pak fjalë, unë them që lojtarët në të tilla raste duhet të prononcohen, jo të ruajnë veten. E kam fjalën këtu edhe për Uzunin që kam dëgjuar se nuk do të grumbullohej sepse nuk ka bërë një përshëndetje pas një ndeshje, dhe për këtë tani është ndëshkuar. Kjo nuk është normale. Në këto raste lojtarët duhet të flasin nëse ka situate të tilla.
Deri ku mund të shkojë kjo kombëtare?
Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në dhënien e konkluzioneve e intervistave, lojtarët, stafi, drejtuesit e federatës kur marrin përsipër të japin disa opinione mbi objektivat, pasi pastaj në rast mosrealizimi duhet të kërkojmë ne llogari mbi qëndrimet që kjo kombëtare do të rrijë shumë gjatë në Gjermani. Por i referohem këtu intervistës së fundit të drejtuesit të federatës, apo ne kalojmë grupin kur thotë diçka tjetër. Kjo nuk me duket shume e qartë dhe nuk është shumë korrekte.
Ne duhet të dimë kush jemi, të njohim veten tone… Normalisht duke pasur parasysh se sa kërkojmë të njohim kundërshtarin, është po kaq e rëndësishme që të njohim edhe veten tonë, Se duke njohur veten tonë shumë mirë, me këmbë në tokë, mund të marrësh dhe të kesh një logjike më të pastër për kundërshtarin. Ne analizojmë shpesh më shumë kundërshtarin dhe jo veten tonë se kush jemi dhe si kemi arritur deri aty.
Me zgjidhjen e këtyre enigmave kjo kombëtare, unë mendoj, nëse ne arrijmë të dalim të tretët në grup, mund të dalim edhe të dytët ose te parët sepse çdo gjë ndodh në futboll, por duke parë edhe grupin sikur edhe një skuadër të lëmë prapa, unë mendoj se kemi arritur suksesin më të madh në historinë e futbollit tonë.