26 Maji 1996 simbolizon vjedhjen e zgjedhjeve me dhunë, tentativën për eliminimin fizik të kundërshtarit, rrëmbimin, përndjekjen dhe dhunimin e përfaqësuesve të kundërshtarit politik, simbolizon pritat, rrëmbimin dhe mbushjen e kutive të votimit, kundërvënien ndaj SHBA etj. Të gjitha këto në funksion të riciklimit në pushtet të Sali Berishës. Në 28 majit 1996, krerët e opozitës si Servet Pëllumbi, Gaqo Apostoli, Neritan Ceka, Paskal Milo, Ndre Legisi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Blendi Gonxhe, Kastriot Islami etj., u dhunuan barbarisht nga policia dhe SHIK-u në Sheshin Skënderbeu, ku kishin dalë për të protestuar. Janë dhunuar gjithashtu Arta Dade, Ermelinda Meksi dhe Skënder Gjinushi. Janë dhunuar në mënyrë çnjerëzore Edi Rama, Erion Braçe, Preç Zogaj, Abren Imami, Perekli Teta, ndërsa gazetari Bardhok Lala është lënë për i vdekur tek Liqeni Artificial. 28 vite nga krimi elektoral, gazeta “SOT” po sjell disa dëshmi të protagonistëve të atyre ngjarjeve, mbi krime të pandëshkuara nga drejtësia, sikundër janë depuetët socialistë Bujar Çela dhe Petro Koçi.
Reagon Bujar Çela
Kështu gjatë një reagimi për gazetën “SOT”, deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela akuzon drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha për ngjarjet e majit ’96. Sipas tij, me urdhër të Berishës u dhunuan, gjakosën dhe torturuan socialistët. Madje ligjvënësi socialist i bën thirrje SPAK të hetojë ngjarjet e ’96.“Në Maj të vitit 1996, Sali Berisha dhe banda e tij, PERDHUNOJ popullin, votuesit i dhunoj dhe përgjaku, ndërsa votat i vodhi. Ato ditë maj të ’96 ishin ditë të zeza. Ne që e përjetuam atë luftë të nxitur nga Sali Berisha dhe banda e tij, ishte njëlloj si lufta më e madhe civile…në emër të demokracisë veri – jug në interes të Sali Berishës dhe tëPartisë pseudodemokratike. Madje asokohe kanë ndodhur jo vetëm shantazhe, vjedhje, përdhunime, por dhe terror nepër shpitë e socialistëve, si dhe arrestime të shoqëruara me tortura dhe hedhje në vende pa adresë …dhe biruca pa vendime gjykatash…. Libofsha dhe Lushnja ka qenë ndër shesh betejat më të medha.Pra në 26 të 1996 maj ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm të gjithë strukturave që drejtoheshin nga SHIK i Gazidedes.Kanë vepruar si gestapo. Berisha i ndiqte zhvillimet nga vila numër 4. Dhe gjithë masakra dhe përgjakja e zgjedhjeve e opozitës ka si autor, Sali Ram Berishën, i cili për mua duhet të hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për këtë ngjarje të rëndë”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela për gazetën “SOT”.
Reagon deputeti Petro Koçi
Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje historike, reagoi edhe deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i cili zbuloi detaje sesi u rrahën protestuesit. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” zoti Koçi u shpreh se zgjedhjet e 26 majit ishin më të përgjakura në historinë e Shqipërisë, ndërsa akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se tejkaloi Zogun dhe Enverin me atë spektakël të përgjakur zgjedhor. Sipas zotit Koçi, votimet e 26 Majit 1996 ishin qartazi një grusht shteti.“Votimet e 26 Majit 1996 ishin qartazi një grusht shteti. Fashizmi në pushtet i Sali Berishës dhe Partisë Demokratike u shfaq me egërsinë e vet antipopullore duke përgjakur kandidatë për deputetë, komisionerë dhe zgjedhës. Fletët e votimit zëvendësoheshin me tufa nga bandat shtetërore të regjimit satrap të Saliut. Dhuna dhe grabitja ishin kryefjala e asaj dite të zezë. Dhunës nuk i shpëtuan as disa aleate të PD. Besoj do të mbeten si zgjedhjet me të përgjakshme në historinë e të gjitha kohërave në Republikën e Shqipërisë. Berisha tejkaloi Zogun dhe Enverin me atë spektakël të përgjakur zgjedhor. E keqja është se akoma Partia Demokratike dhe Lulzim Basha nuk janë distancuar nga ai model dhe nga ajo përgjegjësi jo vetëm morale”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi për gazetën “SOT”.