Zhvillohet këtë të hënë Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Futbollit. Presidenti i saj, Armand Duka, u shpreh se federata e futbollit ka synime dhe objektive të qarta që ta fusë Shqipërinë në hartën e vendeve të zhvilluara sa i përket futbollit.
Pas finales së Conference League, fitimit të drejtës për Europianin e U17 në vitin 2025, Shqipëria synon të organizojë Euro 2027 për moshën 21-vjeçare.
Ai u shpreh se Shqipëria aplikoi si konkurrent më vete, por shanset për ta fituar e vetme janë shumë të vogla. Për këtë arsye FSHF do të bashkëpunojë me Serbinë duke qenë se përballë kanë kandidatë të tjerë si Belgjika apo Turqia.
Duka theksoi se do donte që të kishte edhe zgjidhje të tjera në rajon, si Kosova, por ata nuk kanë aplikuar brenda kohës së vendosur dhe as nuk plotësojnë kriteret e infrastrukturës.
Sipas Dukës, organizimi i këtij turneu ka interes të drejtpërdrejtë për vendin si dhe jep mesazhe paqeje në rajonin tonë.