Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, komentoi në A2 Sport listën e Shqipërisë për Euro 2024, e cila u publikua një ditë më parë nga trajneri Sylvinho.
Vata shpreh çudinë se si kanë mbetur jashtë Cikalleshi dhe Uzuni, ndërsa vlerëson vendimin e sulmuesit për t’u tërhequr në këtë periudhë. Për Vatën, koha e Uzunit dhe e Bares është mbyllur në Kombëtare me Sylvinhon trajner.
“Lista është interesante, ka çdo gjë brenda, por edhe shumë enigma dhe shumë paqartësi. Në të njëjtën kohë është interesante, ky është futbolli, gjithmonë ka surpriza dhe pakënaqësi, luftë për ekzistencë.
3 futbollistë të ekipit kombëtar pretendojnë se kanë bërë maksimumin për të qenë pjesë, por sot nuk janë. Koha do ta vërtetojë nëse Sylvinho ka pasur të drejtë me vendimmarrjen e tij. Cikalleshi ka qenë lideri i ekipit kombëtar në majën e sulmit, shembulli i shpirtit të sakrificës. Ai ka qenë në 100% gjithmonë. Energjia e tij do t’i mungojë grupit. Edhe Uzuni është një djalë me shpirt luftarak që jep maksimumin. Ai ka merituar çdo minutë në kombëtare dhe me meritë ka mbërrit në La Liga dhe me të drejtën e Zotit kërkonte të ishte në listë. Në fund të fundit është një lider që merr vendimet më të rëndësishme dhe ai është Sylvinho me stafin e tij.
“Sokoli ishte përgatit me i dhënë fund karrierës me Kombëtaren pas Europianit. Sigurisht që do të jetë i zhgënjyer pasi në mendjen e tij ka menduar se do të ishte pjesë e grupit. Megjithatë, mendoj se ka marrë vendimin e duhur në këtë moshë që është, pasi do t’i duhet tashmë që të përqendrohet te klubi aty ku paguhet. Ai është një djalë me këmbë në tokë. E ka mbyllur në paqe. Ky është futbolli dhe kjo mund t’i ndodhë shumë lojtarëve të mëdhenj të futbollit”, u shpreh Vata.
Më tej ai komentoi edhe surprizat e listës, ata që janë grumbulluar. “Sylvinho dhe stafi i kanë analizuar detajet dhe futbollistët. Ata kanë marrë vendime jo vetëm për kohën tani, por edhe që do t’i shërbejnë të ardhmes. Me Sylvinhon trajner, koha e Uzunit dhe e Bares ka mbaruar. E vetmja shpresë për ta është që Sylvinho të largohet pas Euro 2024. Unë e shoh që këta dy futbollistë nuk janë të pëlqyer edhe pse nuk e di arsyen”, tha Vata.