Nga KRISTO ZHARKALLI
Se si m’u kujtuan sot intelektualët Jorgo Marunga, Arisatidh Kola, Jani Skaribas , Vangjel Liapis e shumë të tjerë, pa harruar dhe politikanët e njohur grek Thodhoros Pangallos dhe Melina Merkuri(artiste e madhe me famë botërore)! Të mos harrojmë dhe aktorët e mëdhenj grekë: Irena Papas, Eli Lambeti dhe Meri Hronopullu të cilët, paturpësisht ishin deklaruar …arvanitase! (pa mohuar kurrë se ishin artistë grekë dhe i takonin Greqisë!). E shumë e shumë të tjerë-janë të panumërt.. Sigurisht nuk mund të harrojmë heronjtë e Revolucionit të 1821 kundër turqëve: Foto Xhavellën, Mark Boçarin, dhe suliotët e tjerë. Sa për të vertetuar le të lëxojnë Tito Johallën, një gjuhëtar grek që pati gjetur dhe botuar fjalorin shqip-greqisht të Marko Boçarit për suljotët që aso kohe nuk dinin greqisht por luftonin kundër Turqisë dhe derdhën gjakun e tyre për Greqinë!) Ose dhe Andrea Miaulin dhe…Bubulinën! Sigurisht deri sot- them deri sot se paskësaj gjërat ndryshojnë dhe nuk ekzistojnë më…arvanitasit- për gazetarët grekë (por dhe për shumë shqiptarë..)! Kjo u duk tepër ditët e fundit pas lajmërimit se do të vinte në Athinë kyeministri shqiptar që të…takohej me emigrantën shqiptarë të Greqisë! Madje ardhja e Edi Ramës në Athinë krijoi shumë zhurmë dhe u konsiderua provokues (ku e çonte mushka- ose më mirë aeroplani- pa u ftuar? A ka më keq se mysafiri i paftuar?
Gazetarët dhe mjetet e informacionit grek janë tepër demokratike, por jo dhe për një shqiptar si Rama! E paralajmëruan të mos guxonte të kalonte kufirin si mysafir i paftuar – por në fund , si vend demokratik që është Greqia, e la të fluturojë, si harbut, nga Tirana në Athinë! (Kështu tha dhe udhëheqësi i madh i opozitës shqiptare dhe mik i ngushtë dhe besnik i Athinës, Saliu, (si thotë dhe mendon ai vetë!- nga ballkoni i tij legjendar se grekët nuk e thanë troç!) ‘’Po provokon Greqinë’’, dhe këshilloi grekët të mos e lejonin të shkelte në Athinë ! Bërtiti dhe hodhi njëmijë mallkime për ‘’Edvinin’’ si e quan me ironi! Ai si mik i mirë i Athinës si don të paraqitet vetë (se mos përfitojë nga Athina dhe i nxjerrin atë të mallkuar nongrata!) – u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë në Greqi, të mos i afrohen stadiumit ku do të bëhej tubimi! Dhe e vërteta është se e dëgjuan plot pesëmbëdhjetë (15) veta që protestuan jashtë stadiumit ku ishte mbushur me ‘’kuadro të administratës’’ si na verteton tjetri ‘’mik’’ i Athinës dhe të floririt – Likë Floriri pra! Këta 15 veta e nxinë tubimin me britmat (që nuk i dëgjonte kush) dhe me pankartat që mbanin në duar që kërkonin lirimin e…Saliut!
Athina duke patur përkrahjen e madhe të opozitës shqiptare (Saliu- Likja) bëri ç’ishte e mundur që Rama të mos shkelte në tokën e shënjtë të Athinës por kur pa kokfortësinë (arvanitiko qefali nuk thonë kot!) e Ramës , si vend demokratik që është jo vetm e lejoi të zbresë në aeroportin e Athinës por i vuri në dispozicion një makinë të blinduar (kaq kriminelë shqiptarë qarkullojnë, ku ta dish?) dhe disa dhjetra policë për ta mbrojtur por dhe me një shpresë të vogël: se mos shqiptarët e Athinës që në përgjithësi janë kriminelë(!!!) duke parë kaq policë jashtë stadiumit në Gallaci, nuk do të guxonin të afrohen që ta dëgjojnë kokfortin Edi Rama! Madje dhe televizori grek kaq ditë nuk la gjë pa thënë kundër Ramës dhe shqiptarëve duke besuar se në fund nuk do të guxonin t’i afroheshin stadiumit pa le të valvitni flamurin kuqe zi (që duhej të ishte i ndaluar për Athinën si thoshin ‘’patriotët e Tiranës’’ ishte provokacion!)
..Mjerisht (ose fatmirisht) asgjë nuk shkoi ashtu si ishte parashikuar: shqiptarët e mallkuar (arvanitiko qefali nuk thamë?) megjithse punojnë dhe jetojnë në Athinë e gjetkë në Greqi vërshuan si lumë duke kuptuar se në Greqi menjimënd jetojnë të lirë dhe në demokraci! Nuk kaloi hileja e kanaleve as dhe paralajmërimet Salë – Likja! Flamujt e kuq mbluan stadiumin e Gallacit dhe rrugët e pllajat…Bejko! (ku dreqin i gjetën gjithato flamuj me shqiponjën me dy krere? Ku i mbajnë të fshehur të mallkuarit? Dhe si mbushën stadiumin shtyheshin dhe nga jashtë një turme e madhe…Kishin thënë nja një mijë, kiameti dy mijë, por…këta ishin të panumërt….dhjetë mijë…pesëmbëdhjetë mijë? Një dreq e merr vesh! Dhe brohorasin e bërtasin pa frikë! Kanë harruar se ku ndodhen këta të mallkuar? (O sa do të na pëlqente të ishte dhjetvjeçari i 90-ës! Ishte koha e Saliut dhe Fshesa punonte papushim duke … fshirë shqiptarët leckamanë!)
Çdo gjë shkonte si jo më mirë, u dëgjuan ca këngë dhe dikur e morI fjalën Edi Rama – i porsaardhuri nga Tirana. Foli mirë – tha fjalë me mënd deri diku por ja në një çast e prrishi punën. Tha se (dëgjonin dëgjoni!!!) heroina e revolucionit grek Bubulina …fiste shqip! Pa pa pa ç’a turpi! Si guxoi? Televizioni grek këtë e quajti si provokim dhe ofendim i rëndë! (Këtë avaz do të vazhdonin dhe portalet e televizionet shqiptarë madje na kanë dalë ca ‘’studjues’’ që na vertetojnë se…Bubulina ishte arvanitase dhe kurrsesi shqiptare!!! Dakort, dakort! Mos u prrishi qejfin dhe analistëve të Tiranës që i dinë të gjitha…) Një nga kanalet më të mëdha dhe ‘’serioze’’ greke e filloi emisionin e mbrëmjes kështu: ‘’Provokim i rëndë i Ramës në Gallaci. Tha se heroina jonë Bubulina fliste shqip dhe se kishte prejardhje shqiptare…’’Ishte provokim? Ishte ofendim?
Po sikur të thoshte atë anekdodën ‘’Erdhe Bubuli për ve’’? ç’do të thoshte kjo spikere leshverdhë ? Ose thjesht të thoshte atë që ka pohuar vetë e ëma e kryeministit grek Miçotaqisit, Marika? Të thoshte fjala vjen Rama: ‘’Edhe Nëna e nderuar e Miçotaqisit, Marika kishte thënë se ishte arvanitase…’’ do të ishte prapë provokacion? Apo do të përetendonte dikush se na ishte shqiptarkë kjo zonjë e nderuar?
Sa marrëzi mund të durojë shoqëria e sotme, në emër gjoja të nacionalizmit të sëmurë? Por, pastaj e morën stafetën gazetarët, analistët dhe … studjuesit e Tiranës! Reportazhet dhe mendimet e tyre ‘’shkencore’’ domosdo riprodhohen dhe në Athinë! Ata, andej nga Tirana zbuluan se arvanitasit nuk ishin shqiptarë se ishin ortodoksë, kurse shqiptarët janë safi…myslimanë dhe…turq! Madje andej nga Tirana zbuluan se asnjë emigrant nuk shkeli në stadiumin e Gallacit, por shqiptarë dhe patronazhistë që kishin shoqëruar Ramën duke u paguar miliona euro nga taksat e popullit … këto i tha dhe sekretari i Likës, Blushi.. (Njeri tepër i zgjuar si duket!) Kurse Saliu nga ballkoni i tij i famëshëm vazhdon avazin e tij duke sharë e mallkuar të gjithe ata që përkrahin dhe shkojnë pas Edvinit, ndonse janë shumë të paktë !
Por, le të flasim pak seriozisht: Ekzistenca e arvanitasve në Greqi, në ishujt Spece dhe Hidra, Pelloponez si dhe në Atikë e kudo gjetkë nuk është diçka që nuk dihet. Ashtu si dihet se u ngriten dhe luftuan kundër pushtuesve turq, por kjo s’do të thotë se nuk ishin i një gjakut me shqiptarët e tjerë akoma dhe atyre që ishin në shërbim të Sulltanit … Por, të mos harrojmë se një nga njerëzit më të afërt të Kollokotronit (që nuk u cilësua arvanitas!) ishte një shqiptar, madje një bej mysliman, Ali Farmaqi, të cilin heroi grek Kollokotronis (shqip Bithëguri sic e pohon vetë!)e kishte vëllamë dhe Aliu e kishte shpëtuar nga turqit, kur otomanët kishin rrethuar sarajet e Ali Farmaqit, ku fshihej Udhëheqësi i Revolucionit grek, si e pohon vetë Kollokotroni!). Kur otomanët i dërguan ultimatum Aliut që t’u dorëzonte Kollokotronin ai u Përgjegj: ‘’Kam treqind trima shqiptarë që ruajnë sarajet e mia dhe Kollokotronin! Vetëm kur të mos mbetet gur mbi gur nga shtëpia ime dhe asnjë i gjallë nga ne, atëhere do të mundni të mirni Kollokotronin! Ai është mysafiri im dhe mbrohet nga unë! ‘’ Turqit nuk guxuan të hapnin luftë me trimat e Ali Farmaqit…Kjo është histori e verete e kohes!
Dihet se revolucionit grek i u bashkuan dhe shumë vllehë – madje thonë se Rigas Fereos ishte vllah, ashtu si ishte dhe Koleti – ish mjeku i Ali Pashës dhe Kryeministri i Greqisë më vonë kur Greqia u bë e pavarur. Ashtu si u bë President dhe arvanitasi Kulluriotis, heroi i marinës helenike. Të mos harrojmë dhe merita te Ali Pashës që favorizuan në mënyrë vendimtare revolucionin grek…
Për po bëhet gjithë kjo zhurmë pra për prejardhjen e gjithsecilit? Është turp të kesh prejardhjen vllahe apo shqiptare? A është e arsyeshme që kombësia dhe përkatlsia e gjakut të vlerësohet sipas besimit fetar? Se analistët e sotëm kështu na thonë: përderisa arvanitasit kishin besimin ortodoks (të krishterë) nuk i lidh asgjë me shqiptarët myslimanë që, për çudi na qënkan të një gjakut me turqit! Është e mundur në këtë shekull të vlerësohen kështu njerëzit? Mjerisht këtë e bëjnë pseudoanalistët dhe gazetarët fanatikë të Tiranës të udhëzuar nga dyshja e mallkuar Sali-Likja! Turp të kenë analistët e Tiranës që kanë arritur deri atje sa të cilësojnë myslimanët shqiptarë turq! Unë kujtoj se që në djep mësuam vjershat e Naimit dhe të Çajupit, ku në çdo rresht kërkojnë çlirimin nga otomanë ashtu si bënin të gjithë Rilindasit shqiptarë, madje edhe ai që shpalli shkëputjen nga Turqia të Shqipërisë ishte një mysliman shqiptar: ISMAIL QEMALI!
Po vllehët çfarë janë? Duhet të kenë turp dhe voskopojarët se nuk flisnin as shqip as greqish? Ç’janë këta maskarenj që po përpiqen të mbjellin armiqësinë ndërmjet popullit shqiptar dhe atij grek, ç’janë këta kriminelë që kërkojnë të ringjallin racizmin dhe përçarjen e popujve në mes të Europës së Bashkuar? Ç’kujtojnë se fitojnë maskarenjtë (kriminelët dhe hajdutët) që bërtasin nga ballkoni ose u ngjiten hekurave duke bërë gjimnastikë? Nuk kuptojnë se bota e tyre ka perënduar dhe kurrë më – KURRË MË-nuk do të mundin të mashtrojnë popullin shqiptar me propagandë antishqiptare atinjerëzore?
Duhet thënë se edhe shtypi e televizioni grek duke përfshirë dhe disa politikanë – treguan injorancën e tyre nacionaliste duke ofenduar në mënyrë të pafalëshëm popullin shqiptar dhe të kaluarën Arbërore. Ekzistenca e arvanitasve në Greqi nuk mund të mohohet – dhe është turp që nënvleftësojnë në këtë mënyrë faktorin shqiptar arvanitas dhe vllahe në ringjalljen e shtetit të ri grek – më shumë me flamurin fetar se sa kombëtar kundër pushtuesve shekullorë otomanë…
Fitorja e Revolucionit grek ishte fitore për të gjithë popujt e këtyre treveve (grekë-arbërorë dhe vllahe) nga zgjedha shekullore otomane. Dhe ata që indetifikojnë fenë si bazë kombësie, janë menjimënd mbeturina të mesjetës, si në Greqi ashtu dhe në Shqipëri. Besimi fetar i githsecilit nuk ka asnjë lidhje me gjakun dhe me përbërjen kombëtare! /Athinë 16 maj 2024.