Një ditë pasi Prokuroria e Tiranës goditi bandën Meskuti-Ibro të mikrokredive, reagoi Shoqata Mikrofinanca Shqiptare, duke u distancuar nga shoqëritë e mbledhjes së kredive (MCA, ADCA, Final, Zig, FLASH etj.), të cilat operojnë nëpërmjet praktikave jo-ligjore, jo-etike dhe korruptive.
“Shoqata Mikrofinanca Shqiptare dhe Anëtarët e saj i binden Kodit të Sjelljes dhe të Praktikave të Mira, miratuar me Vendim të posacëm të Asamblesë së Anëtarëve, dhe në këtë kuadër nuk adoptojnë dhe as ndjekin praktika të paligjshme apo jo-etike në veprimtarinë e tyre“, thuhet në njoftim.
Pjesë e Shoqata Mikrofinanca Shqiptare janë Kredo.al, Iute Credit, Fed Invest, Fondi Besa, Noa, Agrokredit etj., pra i gjithë karteli i mikrokredive, i kontrolluar pjesërisht nga oligarkë rusë pranë Vladimir Putinit, të cilë rrjepin shqiptarët me kredi deri në 800 %, përmes skemave joshëse dhe mashtruese.
Kush nuk paguan kalon si kredi e keqe te karteli MCA, ku për 70 euro që mund të ketë mbetur borxh, paguan 14 mijë euro dhe i tjetërsohen pasuritë.
Kryetarja e shoqatës është Arlinda Muja, e cila është njëkohësisht aksionere dhe drejtore e Përgjithshme e Kredo Finance, një piramidë financiare e kontrolluar nga oligarku rus Oleg Boyko, i sanksionuar nga SHBA Australia, Kanadaja dhe Ukraina si pjesë e rrethit të besuar të Putinit.
Arlinda Muja është edhe aksionere me 3 % te Kredo Finance, që ndryshon herë pas here emrin për të humbur gjurmët si keqbërësit.
Kredo Financë, e njohur me emrat Kredo.al, ECFA dhe Mondo Financë, i ka shitur mijëra kredi bandës MCA-ADCA të Olsi Ibros dhe Arben Meskutit. Janë shqiptarë të varfër që kanë marrë para me interesa të larta te Kredo ose kanë blerë një sobë, lavatriçe apo ndonjë telefon.
Iute Credit është gjithashtu pjesë e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare.
Edhe pas Iute Credit qëndron oligarku rus i listës së zezë Oleg Boyko, përmes disa tentakulave në Letoni, duke përdorur si maskë Aigars Kesenfelds.
Si administrator ka caktuar Akan Ajdinin. Oligarku rus kontrollonte edhe Final, të cilën më pas ia shiti Arben Meskutit, i arrestuar disa ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës si pjesë e bandës së mikrokredive.
Ndërkaq, portali Kapital.al, ka publikuar një dokument, sipas të cilit në datën 14 maj 2021, Iute Credit Albania, një nga anëtarët kryesore të shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, nënshkroi një marrëveshje kuadër me kompaninë Micro Credit Albania. Përmes kësaj marrëveshje Iute i shiti MCA-së 56.2 milionë lekë kredi të këqija me një çmim total prej 7.2 milionë lekë ose sa 12.8 për qind e vlerës së kredisë. Pjesë e marrëeshjes është edhe lista me 396 qytetarët, kreditë e këqija të të cilëve u kaluan nga Iute tek MCA-ja e bandës Ibro-Meskuti.
Këto fakte tregojnë se Kredo.al, Iute, MCA, ADCA, Final, Aigars Kesenfelds, Oleg Boyko, Arlinda Muja, Akan Ajdini, çiftet Olsi Ibro – Elda Ibro dhe Arben Meskuti – Entela Çuberi janë e njëjta bandë, e cila ka vepruar nën mbikqyrjen e Bankës së Shqipërisë, duke zhvatur mijëra shqiptarë. Dhe SPAK duhet t’i hetojë si grup i strukturuar kriminal.