Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi dje në Itali, ku bashkëshorti i eurodeputetes kristiandemokrate Francesca Donato është gjetur i vdekur në Palermo, në makinën e tij në zonën e Via Ugo La Malfa. Ndërsa ende nuk dihet arsyeja e vdekjes, eurodeputetja pasi ka marrë vesh lajmin e rëndë ka raportuar menjëherë te miqtë e saj, duke thënë “Më vranë burrin Anxhelon”.
Ajo vetë i ka humbur kontaktet mëngjesin e ditës së djeshme dhe ishte e alarmuar sepse i shoqi nuk i ishte përgjigjur asnjëherë telefonatave të saj të shumta. Eurodeputetja arriti të gjurmonte makinën e burrit të saj, një Land Rover SUV me ngjyrë jeshile të errët, përmes GPS dhe lajmëroi shërbimet e urgjencës. Angelo Onorato ishte edhe pronar i një dyqani mobiljesh në Palermo.
Sipas raportimeve të mediave italiane, viktima kishte një litar të lidhur në qafë. Onorato u gjet i ulur në sediljen e shoferit. Ndryshe nga sa dihej fillimisht, në trup nuk u konstatuan plagë me armë zjarri. Në vend të kësaj, kishte një njollë gjaku në këmishën e tij në pjesën rreth qafës dhe nga goja.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që Onorato të ketë pasur një takim me dikë në zonën e Via La Malfa. Një dëshmitar u tha agjencive të lajmeve se pak pas orës 15:00 ai vuri re dy gra që bërtisnin të dëshpëruara pranë fuoristradës, e cila kishte një derë të pasme të hapur.
Francesca Donato dhe vajza e saj u shoqëruan në mbrëmje në polici për t’u marrë në pyetje, për orët e fundit të jetës së Onoratos. Edhe pasdite, duke folur me disa mikesha, Françeska Donato përsëriti se nuk besonte në hipotezën e vetëvrasjes: “Angelo nuk e vrau veten” rrëfeu ajo.
Në orët e vona të mbrëmjes, hipotezat mbeten të hapura për krimin, qoftë vrasje apo vetëvrasje. Sipas mediave italiale Onorato i kishte lënë edhe një letër avokatit të tij. “Nëse ndodh diçka, dërgojani këtë letër gruas sime”, i ka thënë ai avokatit. Teksti i letres flet për borxhet dhe problemet ekonomike.
Francesca Donato, 55 vjeç, është një parlamentare evropiane e zgjedhur në vitin 2019. Si e tillë, ajo i ishte bashkuar grupit të ekstremit të djathtë Identity and Democracy. Ajo u dallua për pozicionet e saj të forta euroskeptike dhe kundër monedhës së përbashkët. Me shpërthimin e Covid-it ajo kundërshtoi masat kufizuese. Në vitin 2021 ajo u largua nga partia e Matteo Salvinit. Onorato kishte tentuar edhe t’i hynte politikës, pasi në vitin 2022 ai kandidoi për zgjedhjet rajonale siciliane në listën e kristiandemokratëve, por nuk u zgjodh.