Kryeministri i vendit, Edi Rama, në kuadër të turit të takimeve me diasporën sot do të jetë në Milano.
Takimi i cili zhvillohet në pallatin e sportit në Busto Arsizio, lokalitet afër qytetit të Milanos, do të nisë në orën 11:00 dhe do të mbledhë emigrantët shqiptarë nga të gjithë qytetet e Italisë.
“Mirëmëngjesi dhe nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi, ju uroj të gjithëve një të diel sa më të mbarë”, shkruan Rama.
Kujtojmë që të dielën e 12 majit 2024, Rama mbajti takimin në Athinë, i pari me diasporën shqiptare të Greqisë.
Pas Milanos, Rama do të takohet me shqiptarët e Londrës në 2 qershor dhe 16 qershor në Düsseldorf.