Pavarësisht shqetësimeve gjithmonë e në rritje nga ndërkombëtarët, se qindra call centera në Shqipëri mashtrojnë qytetarët e BE-së nëpërmjet investimeve të rreme në kriptomonedha apo pasuri te paluejtshme, shteti shqiptar shfaqet i pafuqishëm përballë tyre, edhe pse pikat e mashtrimit të qytetarëve europian janë hapur si “kërpudhat pas shiut” pas përfundimit të operacionit të ndërkombëtarëve për mbylljen e tyre vitin e kaluar.
Kjo skemë zhvatjeje nuk realizohet “nën hundën” e policisë, por kjo e fundit është futur në ortakëri me këto celula duke u marrë haraçin mujor secilit dhe për ta dekonspiruar më tepër “dembelizmin” e organeve të rendit për të shkatërruar këto fole kriminale, ishin pikërisht dy ngjarje të bujshme të pak muajve më parë.
Njëra përkonte me arrestimin e Enea Sulejmani, Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, i cili bashkë me Shkëlqim Ostrenin, pronar i një call center në Tiranë po transportonin lëndë narkotike. Ndërsa rasti tjetër ishte implikimi i Ilir Beqaraj në atentatin ndaj Gentian Bejtjas, që çoi policinë në gjurmimin e një call center në pronësi të të dyshuarit të ngjarjes së rëndë. Pra callcenter vazhdojnë të pashqetësuar aktivitetin e tyre kriminal, është policia dhe kryesisht Drejtoria e Krimit Ekonomik, që po “has vështirësi” t’i lokalizoj këto celula kriminale.
Disa nga celulat aktive vijojnë ende të pashqetësuar aktivitetin e tyre në Tiranë, madje nën hundën e SPAK. Sipas burimeve konfidenciale, një pikë e zhvatjes së miliona eurove të qytetarëve europian ndodhet pikërisht në Kompleksin Usluga, pranë ish-Stacionit të Trenit, nën drejtimin e Endri Haxhisalo.
Nga burimet konfidenciale rezulton, se me qëllim të shmangies së hetimeve pas operacionit kombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike, Haxhisalo ka bërë çregjistrimin e të gjithë punonjësve dhe ka vijuar ta ushtroj aktivitetin në mënyrë të fshehtë.
Kjo skemë ushtrohej në lokacione të ndryshme dhe konsistonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si “Vicidial”, “Forex” dhe “Exchange”, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë, italianë dhe spanjollë.
Nga hetimet e mëparshme, hetuesit kanë zbuluar edhe skemën se si qytetarët mashtrohen. Fillimisht zhvillohen telefonata te qytetarët, kryesisht të moshave të thyera. Në pjesën më të madhe të rasteve, telefonuesit u kërkojnë qytetarëve që të investojnë kursimet e tyre në këtë lloj burse pasi për pak kohë fitimi do të dyfishohet. Por, një gjë e tillë nuk ndodh kurrë.
Vetëm një rrugicë e ndan qendrën e grabitjes së miliona eurove me Prokurorinë e Posaçme, por me sa duket askush nuk nuk ka interes të ndaloj zhvatjen që u bëhet qytetarëve europian, para se pronarët e këtyre qendrave të mashtrimit të largohen pa lënë gjurmë.
Kryesisht aksionet e bujshme të policisë, ku pronarët ikin e nuk gjinden kurrë, kanë përfunduar vetëm me sekuestrimin e disa blloqeve e kompjutera, por nuk ka asnjë gjurmë të miliona eurove të zhvatura, që dyshohet se janë zhdukur në parajsa fiskale.
Në Tiranë ekzistojnë disa qendra të tjera të mashtrimit me bursat, që xhirojnë miliona euro përfitime nga aktiviteti i tyre kriminal dhe këto qendra janë shpërndarë kudo, tek Rruga e Kosovarëve, Ambasador 3 pranë stadiumit kombëtarë, Kompleksi Halili tek Rruga e Dibrës, Kompleksi Delijorgji tek Rruga e Kavajës, Ali Demi tek ish Uzina Gjeologjike, etj.