Kuvendi i Kosovës ratifikoi sot (23 maj) një marrëveshje për t’ia lëshuar me qira Danimarkës një burg në qytetin jugor të vendit, Gjilan, në të cilin pritet t’i kryejnë dënimet rreth 300 të burgosur danezë.
Në një seancë me procedurë të përshpejtuar, Kuvendi e miratoi Projektligjin për marrëveshjen me Danimarkën me 86 vota për, 7 kundër dhe asnjë abstenim. Kosova do t’ia lëshojë Danimarkës me qira rreth 30 qeli të burgut në Gjilan, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, në përputhje me marrëveshjen 10-vjeçare mes dy qeverive, e cila u nënshkrua në prill dhe në maj 2022.
Sipas planit, Kosova do t’i përfitojë rreth 200 milionë euro nga kjo marrëveshje, të cilat do t’i shpenzojë për Shërbimin Korrektues të vendit dhe për energjinë e ripërtërishme.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli – e cila e paraqiti Projektligjin para deputetëve për votim – tha se traktati i forcon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Danimarkës.
“Qëllimi është forcimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve ekzistuese të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Danimarkës, duke marrë parasysh zhvillimet pozitive në sistemin e shërbimit korrektues në Republikën e Kosovës, si dhe përfitimet që Republika e Kosovës do t’i ketë nga ky traktat”, tha Rizvanolli.
Danimarka nuk mund të dërgojë të burgosur të dënuar për terrorizëm dhe krime lufte, e as të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, sipas planit.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e konsideroi “të ngutshëm” ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Kjo qendër shprehu shqetësim se për këtë marrëveshje nuk ka pasur një debat publik, por po ashtu tha se sipas marrëveshjes, të burgosurit në Burgun e Gjilanit – afër 200 të burgosur – tani duhet të zhvendosen në burgje tjera.
Ideja për marrëveshjen u paraqitur në fund të vitit 2021 me të cilën parashihej që shteti danez të marr në shfrytëzim për një periudhë 10 vjeçare qendrën e paraburgimit në Gjilan, rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës.
Zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë thanë se Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro nga Danimarka, e cila do të financojë sistemin e drejtësisë të Kosovës dhe projekte të energjisë së ripërtërishme.