Një operacion i madh i drejtuar nga SPAK është duke u zvilluar në të gjithë vendin prej orëve të para të mëngjesit, për arrestimin e emrave të njohur të botës së krimit në vend.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka publikuar pamjet e para nga ky operacion ku shihen forcat RENEA teksa mësyjnë në vilat e personave të shpallur në kërkim.
Janë 43 urdhër arreste të lëshuara nga SPAK që përfshijnë emra të njohur, por siç është raportuar jo zyrtarisht, edhe dy zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit.
Kryesisht raportohet se arrestimet janë lëshuar për vëllezërit Duka, Avdylajt, Valter dhe Durim Bami, ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca, biznesmeni shkodran Miri Bruli e të tjerë.
“Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj”, shprehet ministri Balla.