Zv.kryeministrja, dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme në lidhje me hetimet që po kryhen për inceneratorin e Tiranës si person që ka dijeni. Balluku, pas marrjes në pyetje, foli shkurtimisht për gazetarët dhe tha se shpreson që dëshmia e saj të ketë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje.
Balluku tha se kjo dosje ka bërë pis të madh dhe të vogël dhe ka ardhur koha që të zbardhet në mënyrë që të ndahet e mira nga e keqja dhe, puna e ndershme nga abuzimi i pafalshëm, siç e cilësoi ajo.
“Ishte një thirrje për dosjen 225 që është dosja e inceneratorëve. Duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kam dhënë dëshmi që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kjo është ndarja e re e pushteteve, drejtësia ka punën e saj, qeveria ka punën e saj dhe parlamenti punën e tij.
Ne jemi këtu për ta mbështetur drejtësinë. Kjo dosje ka bërë pis të madh e të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet, në mënyrë që të ndahet e mira nga e keqja e të ndahet puna e ndershme nga abuzimi pafalshëm”- tha Balluku, pas përfundimit të marrjes në pyetje.