Optimist mbi projektin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar u shpreh edhe këshilltari i ish kryeministrit Sali Berisha, urbanisti Flamur Kuçi.
Duke folur në dëgjesën e sotme, ai theksoi se arkitekti Bjarke Ingels që ka dhe ideuar projektin fillestar të teatrit të ri, gëzon gjithë besimin e komunitetit të arkitektëve dhe urbanistëve, jo vetëm shqiptar por edhe më gjerë.
“Ju përmendët angazhimin e Biorke Engels, unë e kuptoj preferencën për një emër autoritar që patjetër është garanci për cilësinë. Besoj që gëzon respektin e komunitetit të arkitektëve, prapë duke e quajtur veten më shumë urbanist se arkitekt.
Do doja të kishit më shumë besim edhe në gjenerimin e ideve nga komuniteti vendor i arkitektëve. Besoj që komuniteti vendor i arkitektëve ka jo vetëm sensibilitetin e duhur por mund të surprizojë me gjenerimin e ideve dhe të trajtimit të kësaj zone si zonë sensitive në Tiranë”, tha Flamur Kuçi.
Nga ana e tjetër ai theksoi se nuk duhet paragjykuar as skema e bashkëpunimit me privatin për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
“Ju keni zgjedhur skemën e bashkëpunimin e sektorin privat, esencialisht kjo nuk duhet paragjykuar, patjetër do ketë interesa private për zhvillim, ky nuk është fundi i botës. Sfida do jetë sa do i harmonizoni këto interesa. Nga kjo pikëpamja sfida juaj do jetë besimi i publikut. Besimi ndërtohet nëse do arrini ta mbani procesin në dritën e diellit”, shtoi Kuçi.