Violeta Donaj, 35 vjeçe nënë e dy fëmijëve të mitur vrau me pistoletë bashkëshortin e saj, Kujtim Donaj dje në mëngjes në tregun e Milotit. Çifti udhëtonte çdo ditë nga Rrësheni në Milot për të tregtuar rroba të përdorura.
Ajo ishte nisur nga shtëpia me pistoletë në çantë dhe disa minuta pasi kishte mbërritur në treg ka terhequr këmbëzën drejt të shoqit duke shkrepur 4 plumba që i morën jetën Kujtim Donës. Sakaq, krismat shkaktuan panik në tregun e mbipopulluar të Milotit.
Autorja e krimit u ndalua nga një polic i burgut të Shënkollit, i cili u gjend rastësisht pak metra larg vendit ku ndodhi krimi i rëndë.
Pas krimit të kryer, 35-vjeçarja ka qenë në një gjendje mjaft të rënduar psikologjike dhe fillimisht nuk ka folur asnjë fjalë para oficerëve të policisë për atë çfarë kishte ndodhur. Pasi është qetësuar, oficerët e kanë marrë në pyetje 35-vjeçaren.
Ajo mësohet të ketë thënë se e ka kryer krimin për shkak të debateve të vazhdueshme që kishte me burrin. “Luante bixhoz, shpenzonte shumë para dhe ishte xheloz për mua, ndaj dhe e vrava, pasi nuk po gjeja zgjidhje tjetër.
E kam qortuar disa herë, por ai nuk i merrte në konsideratë fjalët e mia”, mësohet të ketë thënë Violeta Donaj para oficerëve të policisë, të cilët e kanë marrë në pyetje. Nga ana tjetër, ajo nuk ka rrëfyer se ku e ka gjetur armën me të cilën kreu vrasjen e burrit.
Policia pritet të marrë në pyetje edhe familjarë e të afërm të çiftit Donaj. Dëshmia e tyre pritet të jetë me mjaft interes, për të saktësuat shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Policia bën me dije se 35-vjeçarja Violeta Donaj nuk kishte bërë asnjë herë denoncim në polici për problemet familjare që ajo kishte.
Bashkëshortët Donaj jetonin në qytetin e Rrëshenit dhe kanë dy fëmijë, 8 dhe 14 vjeç. Në momentin e ngjarjes mësohet se fëmijët ishin në banesën e tyre në qytetin e Rrëshenit.