Gazetari shqiptar në Greqi, Shpëtim Zinxhiria është shprehur se Greqia ka tentuar që të pengojë takimin e kryeministrit Edi Rama në shtetit fqinj, duke e konsideruar si një qëndrim absurd që nuk i bën aspak nder Athinës zyrtare.
I ftuar në A2, gazetari tha se tashmë gjithçka është gati, mirëpo thekson se gjatë përgatitjes si asnjëherë tjetër PS-ja në Greqi ka pasur shumë vështirësi për të gjetur vendin e takimit.
“Shkonim në stadium, bënim pagesën dhe kaq, kësaj radhe sa merrnin vesh që do vinte kryeministri shqiptar e anulonin këtë gjë”, u shpreh ai.
Takimi do të bëhet në një stadium olimpik të lojërave me dorë me rreth 5000 veta, e kur pjesë e agjendës do të jetë pritja e kreut të qeverisë me këngë dhe valle.
“Është vendosur vendi i takimit, në fillim mediat greke dhanë informacion që do bëheshin në një stadium futbolli, por nga informacionet që na erdhën nga Partia Socialiste në Shqipëri do të bëhet në një pallat sporti të lojërave me dorë që ka rreth 5000 vende. 12 maji do jetë një ditë feste, sepse do ketë këngë, do filloj në 11:00 me këngë dhe muzikë, në 12:00 do marrë fjalën kryeministri shqiptarë.
Edhe pse opozita në Greqi ishin në kundërshtim që të bëhej ky takim. Ndalimi nga ana e Greqisë nuk e nderon fare Greqinë. Mitsotakis tha “ne nuk e ndalojmë Ramën, por as nuk e ndihmojmë, por ka të drejtë që të bëjë këtë takim. Unë kam qenë pjesë e PS para disa vitesh këtu në Greqi dhe PASOK na jepte zyrat e veta që të bënim mbledhje, ndërkohë që sot të ndalosh një takim të kryeministrit me emigrantët është absurde”, tha Zinxhiria.
Një ndër kërkesat kryesore që pritet t’i parashtrohet kryeministrit është vota e emigrantëve.
“Presim që ne të votojmë, kërkesa kryesore është që ne të votojmë. Jemi i vetmi vend që emigrantët nuk votojmë, teknologjia ka ecur para dhe të krijojnë kushte për të votuar”, tha ai.
Sipas tyre e gjitha është për shkak se takimi vjen në 12 maj, ditën kur është arrestuar Fredi Beleri.