Zvicra me katër shqiptarë në fushë i bërti ballë furisë së Brazilit, madje duke marrë një barazim me vlera 1-1 ne grupin E, në një ndeshje emocionuese dhe mjaft të fortë në aspektin fizik dhe tekniko-taktik.
Brazilit nuk i mjaftuan yjet dhe as Nejmar për të fituar, dhe nga kjo përballje e parë e Botërorit doli vetëm me një barazim.
Skuadra e trajnerit Tite e nisi me mjaft entuziazëm lojën, ndërsa Neymar nuk i kursente numrat spektakolarë, sa herë që prekte topin. Nga ana tjetër, zviceranët përpiqeshin vetëm të ulnin ritmin e lojës dhe të mbanin sa më larg kundërshtarin.
Goli i avantazhit për “Seleçaon” erdhi në minutën e 20-të, kur Filipe Kutinjo mori një top pak mbi vijën e 16 metrave dhe goditi mjaft bukur me të djathtën, duke e dërguar në trekëndëshin e portës së Zvicrës.
Gjithsesi, ishte pikërisht ky gol që vetë-kënaqi brazilianët, të cilët më pas ulën ritmin dhe në 5 minutat e fundit rrezikuan disa herë të pësonin golin e barazimit.
Edhe pjesa e dytë filloi në të njëjtën mënyrë si mbaroi e para, duke bërë që Zvicra të gjejë golin e barazimit në minutën e 50, kur Zubber goditi me kokë pas një këndoreje dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Alison.
Brazilianët protestojnë për një shtyrje ndaj Mirandës, në momentin e golit, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari kryesor, që e cilëson të rregullt golin dhe ndeshja rifillon edhe njëherë në barazim.
Thuajse të 40 minutat e mbetura u zhvilluan në gjysmëfushën e Zvicrës, me Brazilin që kërkonte me çdo kusht golin e fitores. Rastet ishin të shumta, por herë për meritë të portierit Sommer dhe herë për mungesë të fatit, topi nuk arriti të përfundojë në rrjetën e zviceranëve, duke bërë që sfida të mbyllet në barazim 1-1.
Pra Zvicra ku luajnë shqiptarët Behrami, Xhaka, Shaqiri e Xhemaili, ia doli me sukses të ndalë Brazilin e të marrë një pikë me vlerë për vazhdimësinë në grup, duke pasur shpresë për kualifikim. /Pamfleti Sport