Procesi i Vettingut, i sapo nisur ka nxjerrë jashtë loje mjaft gjyqtarë dhe prokurorë. Përmendim këtu gjyqtarin Fatmir Hoxha, gjyqtaren Altina Xhoxhaj, gjyqtarin Fatos Lulo gjyqtarin Besnik Imeraj, prokuroren Besa Nikëhasani apo dhe prokurorin Besim Trezhnjeva.
Pak ditë më parë, nëpërmjet kryetarit, Gerd Hoxha, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkoi nga organet e Vettingut të vijojnë një proces rikontrolli konform standardeve më të larta të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, opinionit të Komisionit të Venecias, të opinionit të rrjeteve gjyqësore europiane, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duke patur si qëllim shëndoshjen e sistemit gjyqësor dhe jo ndëshkimin individual të gjyqtarëve.
Sikur të mos mjaftonte kjo kërkesë, Unioni i gjyqtarëve hodhi kërcënime dhe ndaj mediave dhe opionit publik.
“Opinioni publik, media dhe politika të mos influencojnë procesin e vettingut me deklarata të pabaza dhe shpesh emocionale”, është shprehur Hoxha më herët.
Sipas tij opinioni publik dhe mediat duhet të rrinë duarkryq, të shndërrohen në memecë, që gjyqtarët t’i vënë shkelmin drejtësisë, apo të pasurohen në emër të krimit dhe korrupsionit.
Kjo gjë s‘ka për të ndodhur kurrë, pasi realitetin e veshur në të zeza nuk mund ta fsheh gjyqtari Gerd Hoxha dhe as ndonjë koleg i tij që mendon si ai.
Po në momentin që të korruptuarve të gjyqësorit, po iu dridhet toka nën këmbë, është e qartë dhe sigurisht që priten reagime anti-Vetting.
Populli thotë “se pilafi nuk mban ujë”. Kjo shprehje i shkon për shtat situatës në të cilën gjendet sot sistemi gjyqësor, ndaj sa më shpejt të bëhet spastrimi nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit, aq më mirë do të jetë për rikthimin e dinjitetit të këtij sistemi të kalbur gjyqësor.
CNA.al do të sjellë të dhënat pasurore, ndër vite të gjyqtarit Gerd Hoxha, i cili njëherësh është edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Hoxha rezulton se ka marrë një kredi në vitin 2011, si i pastrehë, në shumën 5 000 000 lekë për të blerë një shtëpi. Kredia është, me afat shlyerje deri në vitin 2036.
Në vitin 2015 ai deklaron se i janë pakësuar kursimet në vlerën 800 000 lekë.
Më tej ai ka deklaruar të ardhura nga Paga si Gjyqtar 1 145 909 lekë, të ardhura nga puna si pedagog i jashtëm dhe ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës 135 750 lekë, të ardhura paga e bashkëshortes si gjyqtare 799 794 lekë. Gjithashtu në vitin 2015 ai deklaron se ka paguar kredinë për shtëpi në vlerën 337 795 lekë si dhe ka paguar shumën prej 2 214 euro e qirasë leasing dhe zonjës Elbana Lluri për një makinë, ku shuma e leasing mbetur pa paguar në 31 dhjetor 2015 është 2 860 euro.
Në vitin 2016, gjyqtari Hoxha rezulton të ketë blerë një apartament banimi me sipërfaqe 126,5 m2, në Vlorë, me vlerë 55 452 euro, për të cilin thotë se e ka blerë me kursimet e tij dhe të bashkëshortes.
Po gjatë vitit 2016, Hoxha ka shitur një makinë 10 500 euro, ndërsa ka blerë dy makina me vlerë 5 mijë euro dhe 3 056 euro.
Ndërsa për vitin 2017, anëtari i KLD, Gerd Hoxha, njëherësh kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve, deklaron se ka blerë një motorr ‘Pieggio’, me vlerë 147 000 lekë. Gjatë vitit 2017, Hoxha deklaron pakësimin e parave në banesë me vlerë 500 000 lekë si dhe pakësimin e një llogarie bankare me vlerë 1 500 euro.
Deklarata e pasurisë 28.03.2018
Blerje motorri “Piaggio MP3”, 250cc, vit prodhimi 2007. Motorri u ble nga të ardhurat personale të deklaruara për pasojë, vlera prej 147 000, përfason pakësim të ardhurash.
Pakësim të ardhurash cash të mbajtura në banesë, në vlerë 500 000 lekë.
Pakësim të ardhurash – tërheqje nga llogaria bankare në euro, në shumën 1 500 euro
Të ardhura neto nga paga e bashkëshortes si gjyqtare në shumën 1 222 646 lekë.
Të ardhura neto nga paga ime si gjyqtar në vlerën 1 150 139 lekë.
Të ardhura nga paga ime si ekspert, lehtësues dhe pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës Tiranë, në shumën 9 830 lekë.
Të ardhura neto të përfituara nga pagesat për honorare të mbledhjeve të zhvilluara ku kam marrë pjesë në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe pagesa për dieta jashtë vendit, për periudhën nga data 01.01.2017 deri me dt.31.12.2017, në shumën 93 500 lekë dhe honorare + 62 130 = 155 630 lekë.
“Kredi për shtëpi, në shumën 5 000 000 lekë, dt.09.06.2011, përpara noteres, për blerje apartamenti të marrë nga unë Z.Gerd Hoxha, sipas VKM nr.600, dt.12.09.2007. Afati i kredisë është 300 muaj – deri me 13.06.2036 me interes 4% në muaj. Shuma mujore e këstit të kredisë është 26 600 lekë .
Shuma e shlyer është 366 602,79 lekë, ndërsa shuma e pashlyer 3 988 674,66 lekë./CNA.al