Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë arritur konsensusin për përgatitjen e draftit se ku do të fokusohet reforma zgjedhore. Mes palëve është arritur akordi dhe gjatë muajit korrik do të nisë përgatitja e draftit përfundimtar. Pas shumë mbledhjesh të njëpasnjëshme të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, PD dhe PS kanë dhënë më në fund dakordësinë e tyre mbi ndryshimet që do të bëhen. Por edhe pse deri më tani janë dhënë pak detaje mbi draftin që do të përgatitet, gazeta ka mundur të mësojë pikat se ku do të fokusohet reforma dhe ku janë bërë ndryshime. Një pikë ku janë bërë ndryshime është ajo e procesit të dekriminalizimit në zgjedhjen e kandidatëve. Palët kanë rënë dakord që të bëhen të tjera ndryshime sa i takon futjes në politikë të kandidatëve me rekorde kriminale. Ata kanë vendosur që të përforcojnë akoma më shumë ligjin për të mos lejuar më përfshirjen në politikë të njerëzve me rekorde kriminale. Sakaq, një pikë tjetër që do të futet në draftin e ndryshimeve të reformës zgjedhore është dhe ai i financimit të partive. Pas shqetësimit të ngritur nga ana e ndërkombëtarëve për fshehjen dhe mosdeklarimin e saktë të financimeve të partive politike në fushatë, demokratët së bashku me socialistët kanë vendosur që të forcojnë akoma më shumë ligjin. Ata kanë vendosur që partitë politike duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme t’i rrudhin shpenzimet e tyre. Sakaq, një ndryshim tjetër që Komisioni i Reformës Zgjedhore ka ndërmarrë dhe që do ta fusë në draftin përfundimtar është dhe sa i takon fushës së mediave. Ata kanë vendosur që të bëjnë ndryshime edhe sa i takon transmetimit të fushatës zgjedhore në televizion, të spoteve publicitare, etj. Ndërkaq, në draft do të futet edhe çështja e ndarjes së mandateve. Palët kanë vendosur që të rishikojnë edhe njëherë çështjen e ndarjes së mandateve nëpër zonat zgjedhore. Por veç këtyre, në draft do të përfshihet edhe çështja e administratës dhe policisë gjatë procesit zgjedhor. Kjo për faktin se ka pasur shumë akuza se partitë politike gjatë fushatave zgjedhore ushtrojnë shpesh presion ndaj administratës publike në lidhje me çështjen e votës.
Vota e emigrantëve dhe teknologjia
Komisioni i Reformës Zgjedhore përveç ndryshimeve që do të përfshi në draftin përfundimtar, në disa çështje ka hasur vështirësi. Është mësuar se sa i takon votës së emigrantëve duket se në zgjedhjet vendore një gjë tillë nuk do të aplikohet pasi komisioni ka hasur vështirësi mbi procedurat që do të vendoste. Sakaq, është vendosur që çështja e votës së emigrantëve të shikohet si një alternativë në zgjedhjet qendrore të 2021 dhe jo në ato lokale. Por krahas kësaj komisioni ka vendosur që në zgjedhjet lokale të nis dhe pilotimin e teknologjisë. Sipas informacioneve, mes palëve politike ka dakordësi që në zgjedhjet lokale në disa bashki të vendit të me një projekt pilot. Ata kanë vendosur që të përfshijnë votimin elektronik, pra nëpërmjet kompjuterit, si dhe kanë në plan që krahas kësaj të vënë në zbatim dhe projektin për numërim elektronik të votave. Sakaq, palët kanë rënë gjithashtu dakord që krahas këtyre dy projekteve në zgjedhjet lokale të provohet edhe identifikimi biometrik, por kurdoherë duke u ruajtur edhe votën e printuar në rast rinumërimi.
Mbetet jashtë LSI
Konsensusi mes PD dhe PS për reformën zgjedhore kanë lënë jashtë LSI-në. Por ndryshimet e ndërmarra nga ana e dy forcave të mëdha politike për reformën zgjedhore duket se nuk do të priten mirë nga ana e LSI si dhe nga ana e partive të vogla. Kjo për faktin se të gjitha këto forca kanë frikë se do të dëmtohen nga ndryshimet e reja që PD dhe PS kanë ndërmarrë dhe nuk do t’i pranojnë këto ndryshime. Kujtojmë këtu se shpesh LSI është shfaqur kundër reformës zgjedhore dhe sidomos vendosjes së një sistemi “Prim”. Megjithatë ngelet për tu parë sesi do të procedojë LSI në lidhje me këto ndryshime që PD dhe PS kanë ndërmarrë./Sot