I nstitucionet kryesore në vend do të jenë në monitorim nga Bashkimi Europian me qëllim zbatimin e reformës në drejtësi. Gazeta ka siguruar objektin e punës së misionit Euralius V, i cili do të asistojë në vendin tonë për ngritjen e organeve të reja në drejtësi. Një ditë më parë u zbardhën emrat e ekspertëve që kanë ardhur në vendin tonë, ndërsa gazeta po bën të ditur sot dhe fokusin e punës së tyre. 8 ekspertët e Euralius do të asistojnë dhe monitorojnë punën e 13 institucioneve, më konkretisht: të Parlamentit; Ministrisë së Drejtësisë; Këshillit të Lartë të Drejtësisë; Gjykatës së Lartë; Gjykatave; Këshillit të Lartë të Prokurorisë; Prokurorisë së Përgjithshme; Prokurorisë; Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë; Shkollës së Magjistraturës; Dhomës Kombëtare të Avokatisë; Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve. Në dokumentin e siguruar nga gazeta, misioni i ri i Euralius do të asistojë në harmonizimin e ligjeve me acquis të Bashkimit Evropian. Do ndihmojë në ngritjen e një sistemi të ri të ndihmës ligjore dhe do vërë në monitorim institucionet për zbatimin e reformës në drejtësi. Po ashtu do asistojë në rritjen e kapaciteteve analitike, politik-bërëse dhe legjislative. Një tjetër fushë ku do të kenë rol ekspertë e Euralius është asistenca në ngritjen e Këshillit të Larte Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit te Lartë të Drejtësisë. Do ndihmojë gjithashtu në vendosjen e procedurave transparente dhe në bazë të meritave për zhvillimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Euralius shprehet se do të punohet për vendosjen e një skeme të përshtatshme disiplinore për gjyqtarët, prokurorët dhe anëtarët e institucioneve qeverisëse dhe rritjen e standardeve për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Monitorim gjykatave e prokurorive
Përveç asistencës që do u jepet institucioneve shtetërore, sidomos Ministrisë së Drejtësisë dhe Parlamentit, Euralius do monitorojë dhe asistojë edhe gjykatat e prokuroritë në vend. Disa nga objektivat janë: Rritja e cilësisë së shërbimeve nga prokuroritë dhe gjykatat; Shkurtimi i kohëzgjatjes së procedurave; Decentralizimi dhe ristrukturimi i zyrave të prokurorive; Përmirësimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; Zhvillimi dhe përmirësimi i sistemit të menaxhimit të çështjeve; Përmirësimi i infrastrukturës IT; Ngritja e Qendrës së Teknologjisë së Informacionit. Vëmendje do ketë dhe te Shkolla e Magjistraturës. Euralius do të punojë për rritjen e kapaciteteve të saj, me qëllim përmbushjen e pritshmërive për një funksionim më të mirë të sistemit të drejtësisë. Në monitorim do jetë dhe KLD si dhe do ndihmohet me qëllim trajnimin e gjyqtarëve. Objektivi i fundit është mbështetja për Dhomat Kombëtare të Avokatisë, Noterëve dhe Përmbaruesve për të vendosur një sistem vetë – qeverisës demokratik dhe transparent. Krahas ekspertëve, Euralius ka dhe një buxhet prej 75 milionë euro që do të përdoret për të arritur qëllimet e mësipërme./Kliti TOPALLI