Kampionati Botëror Rusi-2018 ka nisur të japë rezultatet e para surprizuese, por njëherësh edhe të zbulojë pretendentët e rinj për titull botëror, ku një prej skuadrave prej së cilës pritet shumë në këtë eveniment është Kroacia, e cila, ndryshe nga Argjentina që zhgënjeu përballë Islandës, sot në mbrëmje mundi Nigerinë dhe siguroi vendin e parë në grup.
Kështu, Kroacia e ka nisur me këmbën e mbarë botërorin “Rusi 21018”, teksa mposhti në sfidën e parë Nigerinë, me rezultatin e pastër 2-0. Skuadra e drejtuar nga tekniku Zlatko Daliç ishte më kërkuese në fushën e lojës dhe arriti të marrë 3 pikët e njëkohësisht kryesimin e grupit D.
Pas autogolit të Marokut kundër Iranit të premten, këtë të shtunë erdhi autogoli i radhës nga nigerianët. Goli i parë u shënua nga Etebo, që devijoi në portën e tij një top të gjuajtur me kokë nga sulmuesi i Juventusit, Mario Mandzukiç, kur kronometri shënonte minutën e 32-të.
Në fraksionin e dytë, ishte sërish Mandzukiç që fitoi një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në rrjetë mesfushori dhe kapiteni Luca Modriç. Ky ishte një start ideal për Kroacinë, që ndeshjen e radhës do ta luajë me Argjentinën në 21 Qershor dhe shkon në atë sfidë si kryesuese grupi. Kushdo që e humbet atë duel rrezikon eliminimin, sidomos argjentinasit, prandaj do të jetë një sfidë e vështirë. /Pamfleti Sport