Një tjetër investim në Vlorë, ku punohet çdo ditë për të kapur objektivin: është ai i tunelit të Llogarasë. Hapja në Qershor për qytetarët është synimi i kompanive sipërmarrëse.
Përbërja shkëmbore e ka bërë më të lehtë punën për inxhinierët dhe punonjësit në terren, çka ka dhënë përparësi që deri më tani të mbyllet 95% e volumit të punës në këtë projekt.
Nëse udhëtarët sot Llogaranë e bëjnë për 40 minuta me hapjen e tij do mund të udhëtojnë për 7 deri në 8 minuta. Ky investim shkurton rrugën për udhëtarët nga Vlora në Palasë që nëse dikur bëhej për 1 orë, tashmë ajo do realizohet për 20 minuta.
“Ky tunel fillimin e tij e ka 500 metra larg urës së Shën Elizës, që është pjesë e rrugës Orikum-Dukat. Vepra ka një gjatësi totale prej 7.42 kilometra. Tuneli i Llogarasë përbëhet nga dy tunele, tuneli kryesor dhe ai i emergjencës. Si tuneli kryesor ashtu edhe ai i emergjencës kanë 11 tunele lidhëse me njëri-tjetrin në gjithë gjatësinë e tyre.
Thellësia e vijës së projektit të tunelit është 1 kilometër nga sipërfaqja e tokës. Në tunelin kryesor, gjithë pjesa e gërmimit ka përfunduar ndërsa në tunelin e emergjencës, jemi në hapat e fundit të gërmimit të shkallëzimit”, tha Ardino Halimi, drejtor i projektit.
5% i punës së mbetur lidhet me tunelet e vogla lidhëse mes tunelit kryesor dhe atij të emergjencës, të cilat do të shërbejnë edhe si vendqëndrime për automjetet dhe qytetarët.
“Po punohet me 11 vendqëndrime apo parkime, 5 për automjetet, 6 vendqëndrime për këmbësorët. Gjithashtu në tunelin kryesor është duke u punuar edhe me punimet civile që nënkupton, kolektorin kryesor të ujërave, tubat e drenazhit, shaftet teknike sistemin e ndriçimit, ventilimit”, tha Halimi.
“Për realizimin e kësaj vepre janë të angazhuar 300 punëtorë dhe 100 makineri. Po punohet me ritme të larta që në Qershor tuneli të jetë i aksesueshëm për turistët”, tha Halimi.
Të dy tunelet, si ai kryesor dhe ai i emergjencës kanë gjatësi totale prej 6 kilometrash, ku deri më tani është kryer 98% e gërmimeve, 96% e veshjes me beton dhe në fund të muajit do të hapë rrugën asfaltimit të tunelit të Llogarasë. Investimi për këtë vepër infrastrukturore ka kapur vlerën e 140 milionë Euro. Ky tunel do të funksionojë në dy drejtime, dhe bashkë me aeroportin e Vlorës synojnë t’i japin tjetër frymëmarrje ekonomisë së zonës dhe lehtësojnë aksesin e udhëtarëve ndaj bukurive të jugut.