“Atdhetari i shquar” i çështjes çame, Shpëtim Idrizi, partinë e ka vetëm si logo, mbasi ata mbështetës që besonin mashtrimet e tij, i janë larguar qysh në vitin 2012, kur zbuluan se kishte bërë pazar me zyrtarë të lartë grekë, për të marrë vetëm tokat e tij në Çamëri dhe bënte tregti importi ushqimesh me krerë të “Omonia”-s e grupit shovinist “Mavi” të Vorio-Epirit.
Por faktet tregojnë, se përveç milionave të vjedhura në dogana e tatime kur ishte drejtor i përgjithshëm; nëpërmjet partiçkës së tij, Shpëtim Idrizi ka shtuar milionat e pasuritë, të shpërndara te dy djemtë dhe familjarët e gruas, që është Këshilltare e Guvernatorit të Bankës së Shtetit.
Në emër të djalit Denion Idrizi, kryetari i partisë Çame, Shpëtim Idrizi, ka krijuar 3 firma ndërtimi; është futur në ortakëri me ndërtuesin e kullave Arjan Çukaj, i skeduar si pastrues i parave të drogës e të pushtetarëve hajdutë.
Një nga bizneset e Shpëtim Idrizit të fshehur pas emrit të djalit Denion Idrizi, është edhe firma “PARKNGO Sh.p.k” me adresë qendrore në Yzberish-Tiranë, në emër të së cilës ka disa zyra, garazhe nën pallate e në sipërfaqe të hapura.
Në Yzberish te rruga “3 Dëshmorët”, ka 292 m2 parking nën pallat dhe sipërfaqe 1100 m2 parking të hapur.
Ka sipërfaqe 1693 m2 parking të hapur te adresa rruga “Sabaudin Gabrani” në Kashar dhe 300 m2 në mjediset e “Spitalit Amerikan Nr.3”; por te kjo zonë ka 1600 m2 parking të shpërndara në disa pallate.
Ka sipërfaqe 280 m2 te Njësinë Bashkiake nr.5, në adresën rruga “Ismail Qemali”, pallati nr. 27/1, shkalla Nr.3, kati 1, si dhe parking tjetër 136 m2 nën pallat, te rruga “3 Dëshmorët” në Yzberish.
Këto pasuri në emër të djalit, kryetari i partisë çame, Shpëtim Idrizi nuk i ka deklaruar në formularin e pasurive të familjarëve, ndërsa për djalin tjetër Loren Idrizi nuk deklaron se me çfarë punësh merret, megjithëse ligji e detyron të deklarojë çdo të ardhur e pasuri të anëtarëve të familjes.
Por dhe djalin Denion Idrizi, ai e ka deklaruar si të punësuar me pagë mujore 100 mijë lekë te biznesi i tij “PARKNGO Sh.p.k” dhe me pagë mujore 30 mijë lekë, te firma e ndërtimit “Solido Construction” që ka në ortakëri me Klodian Allajbeun e “Spitalit Amerikan”.
Meqë Shpëtim Idrizi i fsheh këto pasuri, dhe meqë kryetarja e Inspektoratit të Pasurive, Evgjeni Bashari, mikeshë e gruas së tij nuk ia verifikon, mbetet që këtë punë ta bëjë SPAK-u, duke hetuar se me çfarë burimesh financiare i ka blerë.
Sepse dhe Drejtoria Tatimore-Tiranë, me Urdhër Nr. 5017 Prot., date 01.06.2021, i ka bllokuar llogaritë e asetet firmës “PARKNGO”, për mos pagim detyrimesh e fshehje të ardhurash.
Në vijim, do publikojmë marifetin që përdor Shpëtim Idrizi, për të zhvatur fondet miliona lekë, që shteti i jap partisë çame nga taksat e shqiptarëve./Pamfleti