Formacioni politik i Sali Berishës është nul, pasi ligjërisht deputetët e “Rithemelimit” janë “non-grata” dhe pa subjekt përfaqësimi, ndërkohë që nuk janë të regjistruar si parti politike, pasi në dy palë zgjedhje, në ato të pjesshmet lokale të vitit 2022 dhe vendoret e 2023, kandidatët për kryetar bashkie kanë kandiduar me logon e Partisë së Lirisë të Ilir Metës. Këtë javë shumica socialiste dhe grupi i deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, u tha se arritën një dakordësi në parim, e cila pritet t’i japë fund tensioneve dhe ngërçit të gjatë në punimet e Parlamentit.
Ngritja e dy komisioneve hetimore parlamentare, si dhe krijimi i një strukture të posaçme parlamentare për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë tre të pestat e votave, janë çështjet për të cilat palët do të punojnë për t’i finalizuar në ditët e ardhshme. Kjo marrëveshje u etiketua si pazari Rama-Berisha, por që në thelb është vetëm një Letër Bakalli, për shkak se pakti është arritur mes Partisë Socialiste dhe një grup deputetësh që janë pa parti, pa logo, pa vulë dhe pa grup parlamentar.
Gazment Bardhi që udhëheq negociatat është shkarkuar nga postet në Partinë Demorkatike zyrtare dhe për rrjedhojë ai nuk është kryetar grupi, ndonëse këmbëngul se është shef i demokratëve në Kuvendin e Shqipërisë. Bardhi dhe çdo deputetët janë të lirë të bëjnë marrëveshje interesash, por marrëveshje politike për momentin që flasim është e vështirë, pasi ata nuk i njeh kush dhe se në emër të demokratëve mund të bëjë marrëveshje vetëm PD zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha.
Nëse do të duhet që të përfaqësohen si grupi i Rithemelimit ata duhet të presin sesionin e ri parlamentar që të shënohen si të tillë, sepse Rregullorja e Kuvendit e thotë qartë që grupet apo lëvizjet e deputetëve bëhen në fillim të sesionit. Dhe kjo nuk është e vetmja pengesë, pasi grupi i Rithemelimit nuk njihet as në Gjykata, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera vendase dhe ndërkombëtarë, pasi nuk kanë vulë apo logo, e në këtë mënyrë janë formacion që i ngjan më shumë një çete të shpallur “non-grata” dhe s’i merr njeri si subjekt politik.
Madje faktin që ata janë askushi e tregojnë zgjedhjet vendore, ku Sali Berisha u detyrua që kandidatët për kryetar bashkie apo këshilla bashkiakë t’i fuste në çadrën e PL-së së Metës. Pra pavarësisht se lart e poshtë kanë mbushur opinion publik se kanë arritur marrëveshje legjitime me PS-në, në të vërtet ata kanë bërë vetëm një pazar të fëlliqur që ligjërisht është nul, pasi askush nuk e njeh Rithemelimin, aq më tepër që lideri i saj Sali Berisha është shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe dhe për rrjedhoje edhe ata bëhen pis nga kjo damkë. Thënë troç, çdo marrëveshje që Partia Socialiste bën me Rithemelimin që është thjeshtë një formacion ilegal është nul.
Çfarë ka ndodhur?
Megjithatë duket se pas zhvillimeve të fundit, sipas të cilave kryeministri Edi Rama, po tenton që të ulë në tryezën e lartë politike Sali Berishën nëpërmjet zëvendësit të tij Gazment Bardhi, ka pasur reagime të vakëta nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe. Si ambasada e SHBA, ashtu edhe ajo britanike apo e BE në Tiranë përshëndetën marrëveshjen që i jep fund kaosit në Parlament dhe flasin për deputetët, por në asnjë rresht nuk përmendin fraksionin e Rithemelimit.
Ndërkohë burime të gazetës “SOT” thonë se nëpërmjet kanaleve diplomatike i është kujtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se qëndrimi ndaj Sali Berishës dhe formacionit të tij politik që u krijua si një betejë anti-“non grata” dhe anti- drejtësi, nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë nga Uashingtoni, Londra dhe Brukseli. Gjithashtu shqetësime dhe paralajmërime të forta ka pasur për tentativën, Rama-Berisha, për të bashkuar votat për një ligj që godet Reformën në Drejtësi dhe posaçërisht SPAK dhe GJKKO.
Kështu që duket se si pasojë e këtyre zhvillimeve të forta, është anuluar tryeza në Kuvend ku ishte parashikuar që marrëveshja, Rama-Berisha, e paketuar gjoja si “rikthim normaliteti” dhe për “dy komisione hetimore”, të anulohet. Paralelisht Edi Rama ka nxituar që të hedh në platformën X një shënim të gjatë nëpërmjet, të cilit i siguron të gjithë, (Ndërkombëtarët), se nuk ka asnjë pazar apo marrëveshje me “non-gratën” Sali Berisha. /Rigels Seliman