Në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PS Blendi Çuçi ka dhënë një deklaratë për mediat.
Ai e quajti një lajm të mirë rikthimin e opozitës për të vijuar me normalitetin e jetës parlamentare.
Çuçi u shpreh se Reforma Zgjedhore ka një komision që funksionon, ndërkohë po punohet me ekspertët e ODIHR për të adresuar çështje të rëndësishme të kodit, të cilat më pas do të trajtohen.
“Është lajm pozitiv që më në fund opozita u ul në Konferencën e Kryetarëve. Sot u duk sikur rivendosëm dialogun dhe bashkëbisedimin aty ku e lamë në tetor 2023.
Sot vendosëm në Konferencën e Kryetarëve, që të rregullohen objektet për dy komisionet hetimore, që ata i propozuan vetë por brënda kornizave kushtetuese të cilat janë rregulluar në ligjin për komisionet hetimore në Kuvend. Ishte frymë e mirë për vazhdimin e një jetë normale parlamentare në vend.
Unë besoj se ata janë të bindur se aksioni i tyre nuk i çon askund. Nuk ka asgjë për Reformën Zgjedhore. Zgjedhorja ka një Komision që funksionon. Komisioni Bipartizan po punon për të vendosur më të mirën për Reformën Zgjedhore”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PS, Çuçi.
Nëser në orën 13:30 do të mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve për të shqyrtuar objektet e dy komisioneve hetimore që propozon opozita.