Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri, por edhe transformimi i madh që ka pësuar kryeqyteti në këto tre vite, ka bërë që Tirana të ftohet në një prej Konferencave më të rëndësishme të arkitektëve dhe urbanistëve, e cila u zhvillua dje në Pragë të Republikës Çeke. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj diskutoi mbi zhvillimin urban dhe impaktin e drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Veliaj i cilësoi si tepër pozitive vlerësimet që vijnë për Tiranën, në një kohë kur në kryeqytet po zhvillohen dëgjesa me artistët për çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Ai u shpreh me respekt e mirënjohje për artistët si dhe nënvizoi se me pak dashamirësi mes njëri-tjetrit, mund të bëhen gjëra të mrekullueshme.
“Më vjen mirë që gjithë ky vlerësim për Tiranën, mënyra si është gjallëruar qyteti, vjen edhe pas diskutimeve që kemi filluar me artistët për teatrin. Jam i bindur se në qoftë se me të njëjtën dashamirësi që po na sheh bota dhe që po na fton çdo javë të tregojmë historinë tonë të transformimit, ndërkohë që javën tjetër presim rezultatin e çmimit për sheshin “Skënderbej”, të kishim edhe këtë dashamirësi për njëri-tjetrin, që ndajmë një qytet, një hapësirë ku kemi lidhur jetën, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, theksoi ai