Vrasja e Azem Hajdarit, 14 Shtatori ‘98, Armatosja e militantëve të PD, Shkëlzeni dhe droga, Torturimi dhe zhdukja e Remzi Hoxhës, Tradhtia për çështjen e Kosovës, Atentati ndaj Ambasadës Amerikane
Xhevdet Shehu
Izet Haxhia është një dëshmitar kyç i shumë krimeve që kanë ndodhur në vitet ’90 në Shqipëri. Dhe si askush ai dëshmon se ideatori dhe autori kryesor i këtyre krimeve ka vetëm një emër: Sali Berishën, truproje i të cilit ishte pikërisht Izeti, një nga më të besuarit e Berishës në ato vite. Pas një dënimi në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit, Izeti ka kaluar njëzet vjet në syrgjyn, në Turqi. Në mungesën e tij fizike, Sali Berisha ka artikuluar akuza të rënda për ish-truprojen. Mirëpo, fakti që ai është në Tiranë, duket se nuk do të jetë e lehtë për ish-Presidentin. Një përballje e tyre në gjykatë do të jetë një nga ngjarjet më të mëdha për drejtësinë shqiptare dhe që besohet se do të zbardhë shumë enigma.
Izet Haxhia është padyshim një nga të penduarit e mëdhenj të pas vitit 1990 që rrëfehet dhe ka kërkuar ndjesë për një sërë krimesh që kanë ndodhur nën regjimin e Berishës dhe ku ai ka qenë me dhe pa dashje pjesëmarrës. Fakti që ai rrëfehet dhe është gati të përballet me drejtësinë dhe sidomos me ish-shefin e tij është një gjest i paprecedent dhe që e lehtëson shumë pozitën e tij si juridikisht, ashtu dhe moralisht.
Sikurse dihet, Izeti ka dhënë shumë intervista për rreth dy vjet me radhë. Afro dy vjet më parë këto intervista unë i sistemova dhe ndërtova librin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”.
Në vijim po risjell në kujtesën e lexuesve disa nga akuzat dhe argumentet që sjell Izet Haxhia për disa nga krimet e Berishës.
Vrasja e Azem Hajdarit
Unë kam thënë që vrasja e Azemit ka qenë rastësi apo u është dhuruar koka e tij në tepsi nga dikushi. Dhe ky dikushi është Berisha, sepse Berisha ka qenë në dijeni të makinës me targa Vlore që ishte parkuar në krah të PD, ka patur dijeni se kush ka qenë brenda asaj makine.
Sepse Berisha si një dhelpër dhe iblis (shejtan) që është, e kishte kuptuar që Hajdari konfliktin e Tropojës dhe vrasjet donte t’i lidhte me Berishën dhe urdhrat e tij pas bisedës me plakun e Haklajve. Kjo e shqetësoi shumë dhe i prishi gjumin Berishës.
Berisha tentoi në qershor të 98-s të dorëzonte në tepsi kokën e Hajdarit, duke e nxitur të shkonte për vizitë në Tropojë. Në të njëjtën kohë, unë edhe pse nuk flisja me Hajdarin, i kam thënë atyre që do ta shoqëronin dhe vëllait të Hajdarit, Saliut, që mbushjani mendjen Azemit që të mos shkojë në Tropojë sepse situata është shumë e turbullt e me shumë intriga, thashetheme e akuza dhe e rrezikshme për të.
Pasi është thirrur Azemi në zyrën e Berishës, sepse në atë moment ka qenë tek zyra e Linda Ihsanit për të treguar për vizitat e takimet e tij në Fier, në këtë moment në zyrën e Azemit bëhet një telefon nga Bujar Daja, i cili përdorte një telefon portativ, ky person ka qenë një punonjës i SHIK-ut të Gazidedes mesa e di unë në anën tjetër të telefonit. Në zyrën e Azemit, i cili në këtë moment ishte thirrur në zyrën e Berishës, del Fisnik Sina që kryente detyrën e këshilltarit të Azemit dhe nga ana e Bujar Dajës i thuhet se thuaj Azemit që është një makinë e dyshimtë me targa vlore para PD që ka pothuajse një orë që rrin e parkuar aty. Fisnik Sina shkon në zyrën e Berishës ku ishte dhe Azemi dhe thotë për telefonatën që kishte ardhur. Berisha i drejtohet Azemit: Shko e zgjidhe këtë problem Azem. Azemi, edhe për t’u dukur para Berishës si një kompentent për sigurinë dhe trim del menjëherë nga zyra e Berishës dhe shkon tek zyra e vet ku nga sirtari i tavolinës nxjerr pistoletën ‘Zastava’ dhe monton silenciatorin. Duke dalë nga zyra e tij komunikon me Sali Lushën që po bisedonte në korridorin e katit të dytë me Genc Pollon për çështjen e një makine të humbur të një mikut të Gencit. Azemi i drejtohet Saliut (Lushes) që merr kallashnikovin se ka një makinë bombë përpara PD.
Këtu duhet të bëjmë një sqarim të vogël: Azemi, pavarësisht se zbatonte urdhrat e Berishës, nuk besonte tek ai dhe pasi ka dalë nga zyra e tij, duke zbritur shkallët ka marrë në telefon një person të regjistruar me emrin “Jovanoviç” nga Fieri, me emrin Ismet Jovani. Ismeti ishte mik me Nehat Kullën, por edhe përdorej nga Azemi për të marrë të dhëna nga Nehati, pasi Nehati ishte mik me Feriz Kërnajën, i cili ishte njeri i besuar i Haklajve. Azemi mund ta ketë pyetur këtë person që a kanë ardhur Haklajt në Tiranë apo jo. Akuza ndaj meje ka qenë që gjoja unë e kam marrë në telefon Hajdarin dhe e kam nxjerrë në prite. Kjo është arsyeja e zhdukjes së telefonit celular të Azemit nga aleancat e përjetshme të klanit të krimeve e të mosndëshkimit të tyre në Shqipëri.
14 Shtatori ‘98
14 shtatori është sulmi më i egër dhe fashist që u është bërë institucioneve qendrore të shtetit shqiptar gjatë këtyre 25 vjetëve të fundit. Nuk ishin spontane, por të përgatitura me kujdes e strategji nga ana e Berishës dhe të zbatuara nga krahu i armatosur i PD-së, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë; dhe e ndihmuar nga forcat e armatosura të qeverisë Bukoshi, nën emrin e FARK-ut. Në mitingun mortor të Hajdarit kemi shkuar të armatosur, dhe thirrjet tona kanë qenë për hakmarrje. Ka qenë një grup rreth 150 veta, bërthama e grupit të zjarrit që më vonë do të pushtonte institucionet shtetërore. Furnizimi me armë për pjesën tjetër është bërë nga depoja që ndodhej tek Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe që ishte planifikuar të shpërthehej gjatë pushtimit të institucioneve. Pas mitingut që do të mbahej te Pallati i Kulturës, kortezhi siç ishte planifikuar është nisur në drejtim të Kryeministrisë, sikur Azemin do ta varrosnim në bahçen e Kryeministrisë e jo në varrezat e Sharrës. Arkivoli me trupin e tij ka mbërritur para derës së kryeministrisë dhe mbahej në krahë nga militantë të njohur të PD-së të veshur me kostume si për dasmë. Një nga këta ishte edhe krushku i Berishës, Luan Malltezi.
Për të ndezur luftën në këtë moment është hedhur nga ana e një polici të kohës tonë, një bombë dore në hollin e Kryeministrisë. Ishte koha kur arkivoli i Azemit po përdorej për të thyer derën e Kryeministrisë dhe, mbas plasjes së bombës fillon lufta me muret e zyrat e Kryeministrisë, që nuk kishte kush t’i mbronte, pasi ishin braktisur nga gjithkush për të rënë në dorë të plaçkitësve të PD-së. Këta nuk lanë gjë pa vjedhur aty, deri tek kompjuterat. Nuk ka pasur as edhe një shkrehje arme në drejtim të turmës nga ato pak forca speciale që ndodheshin brenda e që u larguan menjëherë për të shpëtuar lëkurën.
Armatosja e militantëve të PD
Situata dihet në ato ditë të marsit 1997. Tym e flakë gjithandej Shqipëria. Shtetrrethim. Shteti kishte rënë në pothuajse gjithë jugun e Shqipërisë, por të ekzaltuar nga fjalët e Berishës se “Do t’i shtyp me zjarr e hekur rebelë komunistë në jug, do ta ndaj shapin nga sheqeri, do t’i shtyp të kuqtë njëherë e mirë” etj., erdhi dita e 2 marsit. Në Tiranë kishte filluar shpërndarja e armëve për militantët e PD-së dhe në drejtim të jugut nga dy krahet ishin nisur forca të shumta të ushtrisë, rekrutëve të PD-së dhe ato te SHIK-ut që po përgatisnin goditjen e fundit, sipas Berishës. Pasi përcollëm Berishën në parlament, ku pritej zgjedhja e tij për herë të dytë si president, kjo ishte një gjë thjeshtë formale, pasi rizgjedhja e tij ishte e sigurt në bazë të aritmetikës së parlamentit, ku opozita socialiste kishte vetëm pak vende në këtë parlament të manipuluar pas zgjedhjeve të 26 majit 1996. Por edhe ata pak deputetë të PD-së që kundërshtonin këtë zgjedhje të dytë të Berishës, nuk mund të dilnin hapur kundër, sepse ndiheshin të trembur e terrorizuar nga Berisha dhe ne që i qëndronim pranë atij. Këtë e tregoi edhe mbledhja e një dite më parë në Pallatin e Kongreseve të Këshillit Kombëtar të PD-së, ku u caktua Berisha si kandidat për President. Dhe një nga ata që kundërshtoi këtë vendim, Dylber Vrioni, u rraf në tualetet e Pallatit të Kongreseve. Genc Ruli u etiketua si një spiun i Sigurimit, etj.
Shkëlzeni dhe droga
Berishën ashtu e kam ditur, të varfër, që jetonte me rrogën e presidentit dhe dietat që merrte gjatë udhëtimeve jashtë shtetit. Por për Zenin nuk më vjen çudi sepse ai e nisi karrierën duke marrë miliona lireta nga trafikantë droge, duke transportuar heroinë me makinat e presidencës, duke qenë mik në atë moshë me pronarët e firmës piramidale Gjallica, Fitim Gërxhalliun. Desha vetëm ta pyes Zenin se çfarë donte ai me prokurorin Gani Dizdari në Vlorë në kohën e falimentimit të firmës Gjallica? Çfarë morën ata në zyrat e kësaj firme, përveç dokumentave të kësaj firme? Unë e di që Zeni nuk ka qenë prokuror që të marrë pjesë në këtë operacion të dyshimtë. Dhe duke pasur parasysh gjithë këto dhe duke njohur dobësinë e Zenit për para kjo vilë më duket shumë e vogël…
A kishte dijeni Berisha për këto veprime të të birit? Duke ditur që Zeni është një pikë e dobët e Berishës dhe veprimtaria e mëvonshme e të birit, është jashtë çdo lloj logjike që Berisha të mos ketë pasur dijeni për veprimtarinë e të birit. Berisha din për ata që i interesojnë se çfarë bëjnë në dhomat e tyre të gjumit dhe nuk paska dijeni për veprimtarinë e të birit??? Po ta pyesësh Berishën, kuptohet që do ta mohojë, siç mohoi baxhanakun e tij të vrarë në Gërdec nga tregtia e armëve të të birit.
Torturimi dhe zhdukja e Remzi Hoxhës
Mendoj se dekriminalizimi i politikës dhe shtetit duhet të fillojë pikërisht me çështjen e Remzi Hoxhës, sepse është ngjarje makabër qe shënon dhe dokumenton krimin e drejtpërdrejt shtetëror. Ky krim u porosit dhe u zbatua nga kupola shtetërore e Presidencës dhe Shik-ut. Dua t’u kujtoj atyre që pas këtij krimi bënë rolin e të paditurit e të painformuarit dhe tani bëjnë rolin e denoncuesit, se fill pas vrasjes në tortura të Remziut, përse të paktën katër herë erdhi për vizitë ekzekutuesi i këtij krimi Ilir Kumbaro??? Ka qenë hera e parë kur një drejtues i rangut të ulet të shik-ut e vizitonte këtë vilë. Tek vila Kater vinte për raportimet e tij të famshme vetëm besniku i partisë, Gazidede. Zhdukjen e Remziut e kam mësuar më vonë, por më kanë ngelur në mendje këto vizita të Ilir Kumbaros që fillimisht kujtova që ishte regjisori, por mora vesh se ai ishte drejtues në shik-un e Tiranës.
Kryekrimineli, zbatuesi i urdhërit të Kryekriminelit dhe xhelati i tyre që unë e pandeha për regjizor nga mbiemri, po shkruanin skenarin më makabër dhe të vërtetë të zhdukjes së viktimës së tyre, Remzi Hoxhës. Besoj që djali i të ndjerit Remzi Hoxha në mungesë të Kumbaros, duhet ta pyes Berishën se çfarë ka biseduar dhe perse e ka thirrur tek vila kater Ilir Kumbaron në atë fund tetori dhe fillim nëndori të vitit 1995…
Tradhtia për çështjen e Kosovës
Unë kam patur shumë kontakte me shqiptarët e Kosovës që erdhën në Shqipëri pas vitit 91. Pavarësisht se kush ka qenë në krye të shtetit shqiptar, kosovarët i kanë dashur pa paragjykim e me njëfarë naiviteti ata që kanë qenë në drejtimin e vendit tonë.
Kjo ka ndodhur edhe në qeverisjen e Berishës. U kthye në një idol për kosovarët, por këtë dashuri të kosovarëve ndaj tij, Berisha ua ktheu duke i burgosur, përndjekur e dorëzuar tek regjimi serb të gjithë ata që po bënin përpjekje për të filluar rezistencën me armë në Kosovë.
Në atë kohë ishte një blasfemi e madhe të ishe pjesëtar i këtyre grupeve. Shumë vite më vonë, kur filloi lufta çlirimtare, njerëz që kam ndenjur me ta e i kam ndihmuar, dolën haptazi që ishin pjesë e lëvizjes së rezistencës me armë në Kosovë, sepse kishin frikë e druheshin të dekonspiroheshin nga shërbimet e agjentët e SHIK-ut të Berishës e Gazidedes, të cilët u kishin shpallur një luftë të hapur këtyre patriotëve duke u munduar t’i damkosnin si agjentë të UDB-së.
U bë i pamundur vazhdimi i veprimtarisë së këtyre në Shqipëri dhe shumica u detyruan të largoheshin ilegalisht në Kosovë apo në Perëndim.
Berisha jo vetëm që nuk ka ndihmuar veprimtarinë e UÇK-së, por ka qenë pengesa kryesore për veprimtarinë e saj. Ai gjithmonë e ka quajtur UÇK-në, ashtu si Rugova, si një krijesë e sajim i shërbimeve sekrete serbe.
Kur lufta çlirimtare e UÇK-së u bë e njohur në gjithë botën e fitoi dashurinë e gjithë shqiptarëve, edhe Berisha e ktheu pllakën.
Atentati ndaj Ambasadës Amerikane
Ka qenë muaj maj (1997) më duket, ishte koha kur Pjetër Arbnori ishte i ftuar për një vizitë në SHBA nga Kongresi Amerikan. Ishte krijuar opinioni në të gjithë se SHBA i kishte hequr vizën e kuqe Berishës dhe po përkrahte të majtët për të ardhur në pushtet. Ishte një rast i mirë për të treguar se të majtët antiamerikanë u zhgënjyen nga kjo vizitë e Arbnorit që i jepte kredibilitet PD-së së shkatërruar. Duke u nisur nga kjo, më thërret Berisha në zyrë e më thotë që “asaj lavires (e kishte fjalën për Mariza Linon, ambasadoren amerikane në atë kohë në Tiranë) duhet t’i japim një mësim të mirë për të gjitha ato që ka bërë kundër nesh, sepse ajo po punon kundër Shqipërisë, ngaqë është e lidhur me lobet greke antishqiptare në Amerikë. Ti mund ta godasësh atë”, më tha. Të mendohem, i thashë e të bëj planin për këtë. Në atë kohë, vërtet edhe unë isha i mendimit se Lino po punonte në mënyrë të tillë. Por kur bëhej fjalë për një vend mik si Amerika, thashë të pyesja dikë që njifte mirë politikën e jashtme dhe Amerikën. I them Mero Bazes se po të godisja ambasadën amerikane, kuptohet sipas planit tim, pa më thënë njeri, çfarë mund të ndodhte. Më tha: “Në mënyrë absolute mos ndërmerr një veprim të tillë, sepse Shqipëria humbet pavarësinë e saj dhe fiton armiqësinë e Amerikës”. Megjithëse kisha bërë planin për ta goditur nga disa pika ambasadën amerikane, pas kësaj që më tha Mero Baze, hoqa dorë nga plani.
Pas disa ditësh më thërret Berisha dhe më thotë se çfarë kisha bërë për atë porosinë. I thashë që është e pamundur, sepse ambasada ruhet nga forcat marinse të Amerikës dhe policia shqiptare.
“Ti nuk ke dashur ta bësh!”, më tha i zemëruar.