Ilir Meta ka deklaruar pas arrestimit se Klodian Rjepaj ka qenë pjesë e ish-LSI por ai nuk e mbante mend. Pavarësisht kësaj deklarate, faktet janë kokëforta dhe tregojnë të kundërtën e asaj që ka thënë Meta.
Ish-zv.ministri i Shëndetësisë që u arrestua nga SPAK bashkë me zyrtarë e ish-zyrtarë për koncesionin e sterilizimit të seteve mjekësore, ka qenë pjesë e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në vitet 2009-2012, Klodian Rjepaj ka qenë Drejtor Kabineti pranë Ministrisë së Shëndetësisë si dhe Kryetar i Komitetit Koordinues për luftën kundër HIV/AIDS dhe Tuberkulozit në Shqipëri. Në këtë periudhë, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ishte Petrit Vasili.
Kjo ishte një ndër periudhat më të arta të ish-LSI sepse kryetari Ilir Meta kishte vendosur të bënte koalicion me Sali Berishën. Gjatë periudhës që Rjepaj ishte drejtor Kabineti i ministrit Petrit Vasili, vetë Ilir Meta ishte zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Më pas, nga shtatori 2010 deri në janar 2011 kryetari i LSI-së ka qenë zv.kryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha
Kur socialistët erdhën në pushtet në vitin 2013 falë aleancës me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ilir Meta u zgjodh Kryetar i Kuvendit dhe këtë pozicion e mbajti deri më 28 prill 2017, ditë kur u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë.
Me rritjen e LSI-së që sot ka ndërruar emër dhe quhet Partia e Lirisë, u rrit në detyrë dhe Klodian Rjepaj. Drejtori i Kabinetit të ministrit Petrit Vasili u bë zv.ministër për katër vitet e ardhshme, nga 2013 deri në 2017, por këtë herë kishte mbi vete Ilir Beqajn.
Nuk dihet se çfarë roli ka pasur më vonë Klodian Rjepaj, por në vitet e arta të Lëvizjes Socialiste për Integrim – nga viti 2009 deri në 2017 – ai ka qenë në poste të rëndësishme në qeveri. Këto fakte rrëzojnë pretendimet e Ilir Metës se nuk e mban mend bashkëpunëtorin dhe kontributorin e vetë në ish-LSI.