Serie A e futbollit zhvilloi ndeshjet e prapambetura për raundin e 21-të. Napoli siguroi tri pikë në udhëtim, teksa mundi 1-6 Sassuolon. Në Milano, Interi fitoi 4-0 ndaj Atalantës dhe “prek titullin” teksa thellon në 12 pikë diferencën me Juventusin ndjekës.
Në “Giuseppe Meazza”, Interi nuk e diskutoi fitoren paçka se përballë kishte Atalantën, duke e mundur 4-0. Në këtë duel 90 minuta luajti Kristjan Asllani dhe Berat Gjimshiti, me mesfushorin elbasanas që fitoi duelin me një paraqitje të mirë.
Golat për Interin u shënuan nga Darmian në minutën e 26-të, Lautaro në të 45+1, Dimarco në minutën e 54 dhe Frattesi në të 71 minutë. Me 12 pikë para Juventusit, Interi ka vendosur ‘një dorë’ te titulli kampion në Serie A.
Në “Mapei Stadium” të Reggio Emilias, Sassuolo u turpërua në shtëpi 1-6 nga Napoli. Vendasit zhbllokuan gjithçka në minutën e 17-të, para se Rrahmani, Osimhen me tripletë dhe dopieta e Kvaratskhelia të dërgonin shifrat në 1-6. Në këtë sfidë për Sassuolon luajti edhe Marash Kumbulla, mbrojtësi i Kombëtares që mori 13 minuta në fushë pas afro dhjetë muajsh.
Serie A, ndeshjet e prapambetura – java 21:
Sassuolo 1-6 Napoli
Inter 4-0 Atalanta