Sali Berisha, i izoluar totalisht ndërkombëtarisht, duket se ka gjetur më në fund një aleat: Athinën.
Ai që e ka kurorëzuar këtë aleancë, është një personazh me një të kaluar të errët: Fredi Beleri.
Dhe tani, nga armike e betuar, të cilën e bënte përgjegjëse për rrëzimin e tij nga pushteti në ’97-n, Berisha e ka Athinën, aleaten e vetme (të paktën publikisht dhe haptazi).
Vetëm në javën e fundit, figurat më të rëndësishme të Rithemelimit, kanë qenë për vizitë në Greqi.
Fillimisht shkoi në Athinë, Agron Gjekmarkaj, me ftesë të zëvendëskryetarit të Kuvendit grek.
Aty, sipas vetë Gjekmarkajt, ai diskutoi pikërisht për fatin e Berishës dhe Belerit.
Një ditë më parë ndërkohë, dy zyrtarët më të lartë të rithemelimit, Flamur Noka dhe Luçiano Boçi, kanë qenë në një takim gati sekret në Janinë, ku kanë takuar një deputet të Demokracisë së Re, Takis Theodorikakos.
Keep Watching
Ka qenë vetë ky i fundit, që ka njoftuar takimin me dy deputetët e Rithemelimit.
“Në Janinën mikpritëse jam takuar sot me miqtë e mi Luçiano Boçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Flamur Noka, ish-ministër i Brendshëm, deputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.
Diskutuam dhe shkëmbyem mendime për shumë çështje interesante dhe sigurisht për nevojën për t’i dhënë fund paraburgimit të bashkatdhetarit tonë, kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleris”, ka shkruar Takis Theodorikakos në rrjetet sociale.
Është interesant se ky takim nuk është raportuar nga asnjë prej mediave mbështetëse të Berishës, madje as nga portali i familjes Berisha.
Edhe vetë deputetët Noka dhe Boçi nuk e kanë raportuar këtë takim, duke mos postuar asnjë foto.
Vetëm pas publikimit të lajmit nga gazeta TemA, Boçi ka postuar me nxitim disa foto në mes të natës.
Me sa duket, janë të kompleksuar nga aleanca e re me Athinën, pasi ne Shqipëri, Fredi Beleri është një personazh i kontestuar.
Kujtojmë që edhe në protestën e 20 shkurtit, një nga parrullat kryesore, kishte të bënte me lirimin e Fredi Belerit.
Me sa duket, Athina po e shfrytëzon izolimin e Berishës dhe nevojën e këtij të fundit për aleatë, për axhendën e vet. (TemA)