Një aksident është shënuar afër tunelit të Skërficës, në aksin Kardhiq-Delvinë. Një kamion me targa BO 5036EI/BE 2979 XM, i ngarkuar me çimento ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar në humnerë duke marrë flakë.
Ngjarja ka ndodhur sapo del nga tuneli i Skërficës në krahun e Gjirokastrës. Report TV ka siguruar videon ku duket kamioni nën flakë.
Burime nga forcat zjarrfikëse dhe policore në vendngjarje konfirmojnë se drejtuesi i mjetit, shtetas ukrainas Andriu Khrustalov, 31 vjeç ka humbur jetën. Ai po transportonte çimenton në momentin kur pësoi aksidentin fatal. Policia thotë se një grup hetimor është në vendngjarje dhe po zbardh rrethanat e aksidentit.
“Gjirokastër/Informacion paraprak
Rreth orës 16:20, në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në afërsi të tunelit të Skërficës, shtetasi A. M., 31 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit tip kamion me të cilin po transportonte çimento. Për pasojë, mjeti ka dalë nga rruga dhe është përfshirë nga flakët.
Për shkak të dëmtimeve, shtetasi A. M. ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.”, thuhet në njoftimin e policisë.